Lidhje

Betejat politike të fundvitit në Uashington


Sipas Presidentit Obama, amerikanët, që sapo festuan Ditën e Falenderimeve, duhet të preken nga gjendja e vështirë e sirianëve që i largohen shtypjes dhe gjakderdhjes. Por, Kongresi i udhëhequr prej republikanëve ka miratuar pezullimin e pranimit të refugjatëve dhe mund ta përdorë këtë çështje për bllokimin e buxhetit të qeverisë federale.

“Bota është plot me shtegtarë, burra dhe gra që kërkojnë vetëm një të ardhme më të mirë dhe më të sigurtë për veten dhe familjet e tyre. Ajo çfarë e përkufizon Amerikën, është se ne ua ofrojmë këtë shans,” tha Presidenti Obama.

Pas sulmeve terroriste në Paris, Dhoma e Përfaqësuesve votoi për të pezulluar pranimin e refugjatëve sirianë. Kryetari i Dhomës Paul Ryan.

“Vendi ynë ka qenë gjithnjë mikpritës. Por, nuk mund t’i lejojmë terroristët që të shfrytëzojnë përkushtimin tonë. Është momenti që më mirë të jemi të sigurtë, se sa të pendohemi më pas.”

Shtëpia e Bardhë ka premtuar ta bllokojë me veto këtë masë nëse ajo mbërrin në tryezën e Presidentit Obama. Por, kufizimi i refugjatëve është vetëm një prej nismave me të cilat Kongresi i udhëhequr nga republikanët po kushtëzon legjislacionin buxhetor të datës 11 dhjetor, kur do të mbarojnë fondet e miratuara për qeverinë amerikane dhe kur rrezikohet një mbyllje e pjesshme e qeverisë. Republikanët ndoshta do të heqin edhe fondet për organizatën “Planifikimi Familjar”, që ofron shërbime aborti për gratë.

“Mendoj se grupi ‘Planifikimi Familjar’ nuk duhet të marrë as edhe një cent nga taksapaguesit,” thotë zoti Ryan.

Demokratët po denoncojnë taktikat e republikanëve.

“Do të bashkëpunojmë me republikanët për të shmangur një mbyllje të panevojshme të qeverisë, por nuk do të pranojmë masa që shkelin parimet tona,” thotë​ Senatori Harry Reid.

Republikanët këmbëngulin për realizimin e objektivave të partisë së tyre.

“Gjithnjë kemi patur masa të tilla shtrënguese,” thotë​ kryetari i Dhom​ë​s s​ë​ P​ë​rfaq​ë​suesve Paul Ryan.

Një situatë e tillë nuk është diçka e re për Kongresin, ku vendosmëria e ligjvënësve për të luftuar për prioritetet e tyre sprovohet prej dëshirës së tyre të përbashkët për të shkuar me pushime larg Uashingtonit gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

XS
SM
MD
LG