Lidhje

Mbështetja për Kongresin bie ndjeshëm


Ndërsa nuk po duket ndonjë shenjë për përfundimin e krizës fiskale në Shtetet e Bashkuara, një anketë e re tregon se vetëm 5 për qind e amerikanëve është dakord me mënyrën se si Kongresi po bën punën. Po sipas anketimit, 62 për qind fajësojnë republikanët për mbylljen e pjesëshme të qeverisë.

Anketa e zhvilluar nga Associated Press dhe grupi GfK, po ashtu arrin në përfundimin se 37 për qind e të anketuarve mbështesin punën e Presidentit Obama.

Dje, ndërsa po afrohet me shpejtësi afati kur duhet ngritur tavani i borxhit, ose përndryshe qeveria nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhet, Presidenti Obama u përpoq ta sigurojë botën se Shtetet e Bashkuara i kanë paguar përherë detyrimet e tyre financiare.

Presidenti i bëri thirrje Kongresit të miratojë buxhetin që të rihapet qeveria dhe të miratojë ngritjen e tavanit të borxhit, para se ai të ulet për negociata me shumicën republikane në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner tha se është i zhgënjyer me përgjigjen e presidentit. Ai tha se kufiri i borxhit ka qenë kurdoherë një çështje për të cilën është biseduar hapur dhe me ndershmëri dhe se Shtetet e Bashkuara nuk mund të shpenzojnë para të cilat nuk i kanë.
XS
SM
MD
LG