Lidhje

Ndotje e lartë e ajrit në Shkup dhe në Tetovë


Ndotja e ajrit në Shkup dhe në Tetovë, që kalon për mbi pesë herë standardet e lejuara, po shqetëson banorët e këtyre qyteteve, ndërkohë që autoritetet qeveritare po përpiqen të marrin masa për kapërcimin e gjendjes.

Sipas Ministrisë së Ambientit, janë automjetet dhe vetë amvisëritë që përmes lëndëve për ngrohje e ndotin ambientin, ndërsa fabrikat punojnë ose me kapacitet të zvogëluar ose janë pajisur me mjete të duhura për filtrim.

Me një vendim të qeverisë, lirohen nga obligimet disa kategori më të rrezikuara, si: gratë shtatzëna, të moshuarit mbi gjashtëdhjetë vjeç dhe të sëmurët nga astma dhe ata nuk duhet të paraqiten në punë deri të premten, kur do të vlerësohet përsëri gjendja.

Kamionëve dhe automjeteve të rënda u ndalohet qarkullimi në qendrat e qyteteve të Shkupit, Tetovës, Kërçovës dhe Manastirit për disa orë në ditë.

Ndërkohë, për shkak të mjegullës, që për më tepër se një javë ka përfshirë një pjesë të Maqedonisë, janë anuluar shumë fluturime nga aeroporti i Shkupit.
XS
SM
MD
LG