Lidhje

Polonia, katolicizmi dhe ndarjet e brendshme


Polonia, katolicizmi dhe ndarjet e brendshme
Polonia, katolicizmi dhe ndarjet e brendshme

Shtatorja më e madhe në botë e Jezusit përfundoi muajin e kaluar. Ajo është ndërtuar në mes të një fushe të mbjellë me lakra pranë një qyteze në Poloninë perëndimore. Ajo është 51 metra e lartë, gati 14 metra më e lartë se shtatorja e famshme në Rio de Zhaneiro dhe ia kalon edhe shtatores së ngritur në Bolivi, që deri tani mbante rekordin.

Vendndodhja mbase nuk ka madhështinë e kodrës së Rios; shtatorja e Jezusit këtu ndodhet përballë supermarketit të qytezës. Por banorët e Sueboxinit janë po aq krenarë për shtatoren e tyre. E quajtur “Krishti Mbret”, ajo ishte ëndrra e priftit vendas dhe u financua plotësisht prej donacioneve private. Por disa njerëz në Poloni e shohin shtatoren si një shenjë mendjemadhësie dhe si një monument që nuk përfaqëson shpirtin e vërtetë të Krishtërimit.

Gjatë ceremonisë së përurimit të shtatores në fund të nëntorit, qindra pelegrinë dhe vizitorë kureshtarë erdhën në qytezë për të marrë pjesë në një procesion me këngë nëpër rrugë.

“Është e bukur, vërtet e bukur”, - tha një banor, ndërsa po vështronte shtatoren, që është e vendosur mbi një piedestal dheu dhe në krye ka një kurorë të artë.

Lidhja mes kishës katolike dhe patriotizimit është e fuqishme në Poloni, pjesërisht për shkak të rolit të kishës në kundërshtimin e komunizmit. Vendi ende ka njërën nga popullsitë e Evropës që shkojnë më tepër në kishë. Gjatë procesionit në Sueboxinit, disa njerëz mbanin në duar parrulla ku thuhej, “Jezusi është mbreti i vetëm i Polonisë”. Një grup tjetër mbante kapele të kuqe të zbukuruara me një figurë të Jezusit dhe me shqiponjën e bardhë polake.

Një burrë me kapele tha se erdhi këtu ngaqë është atdhetar dhe besimtar, dhe se beson në atë që kisha po bën për Poloninë.

Por disa banorë të tjerë e shohin shtatoren vigane si një mundësi për të tërhequr turistët në qytezë, e cila zakonisht nuk ka shumë vizitorë.

Ky gjerman erdhi në Poloni vetëm për ta parë shtatoren. Ai thotë se vetë nuk është fetar, por se erdhi nga kureshtja dhe mendon se ka edhe njerëz të tjerë që do ta bëjnë të njëjtën gjë.

Megjithëse Polonia është vend kryesisht katolik, polakët kanë qenë të ndarë kohët e fundit rreth pranisë së fesë në sferën publike. Ky debat u ashpërsua verën e kaluar me një mosmarrëveshje rreth një kryqi të drunjtë përballë pallatit presidencial në Varshavë.

Shtatorja e Sueboxinit, për të cilën u deshën pesë vjet të ndërtohet, ka edhe është kundërshtarë. Disa polakë e shohin të tërë projektin si qesharak, ndërsa të tjerë mendojnë se monumente të tilla nuk përfaqësojnë shpirtin e Krishtërimit.

Tomash Krolak, nënkryetar i Agjencisë Katolike të Informimit në Poloni, është një prej tyre. Ai thotë se ndërsa respekton vendimin e Sue-boxinit që ta ndërtojë atë dhe se nuk mendon që shtatorja ka të bëjë në thelb me krishtërimin e vërtetë.

“Do të thoja se ideja e ngritjes së monumentit në Sueboxini, nuk ka të bëjë me idetë thelbësore të Kishës Katolike në Poloni. Zgjidhja më e mirë për bashkësinë e krishterë është që të ndërtojë monumente të Krishtit brenda nesh, në zemrat tona, në mendjet tona.”

Por për një të ri nga Sueboxini, çështja nuk është dhe aq e thjeshtë.

Ai thotë se është i sigurt që ka patur mënyra më të mira për të shpenzuar paratë. Me ato para do të mund të ndihmonim njerëzit, - thotë ai. Ai mendon, megjithatë, se shumë njerëz do të vijnë ta shohin shtatoren dhe se ajo do t’i sjellë fitime ekonomisë lokale. Veç kësaj, thotë ai, do të bëhemi të famshëm.

Nëse turistët do ta mbushin me të vërtetë këtë qytezë polake, mbetet për t’u parë. Ndërkohë, banorët janë të bindur se Jezusi i tyre gjigant në mesin e fushës me lakër do të bëjë që qyteza e tyre të dallohet në hartë.

XS
SM
MD
LG