Lidhje

Historia e Pompeit në filmin “Pompeii”


Filmi më i fundit aksion i Hollivudit përshkruan fatkeqësinë e Pompeit, qytetit të lashtë romak i cili u përfshi nga shpërthimi vullkanik i malit Vezuv në vitin 79 të erës sonë. Filmi, Pompeii, përmban histori dashurie, skena luftimi, dhe disa elementë historikisht të vërtetë rreth asaj që ndodhi. Por ekspertët thonë se ka pjesë të filmit ku kineastët thjesht përdorën imagjinatën.

Historia e Pompeit tremb imagjinatën e shumë njerëzve, sidomos për shkak të imazheve të tilla: njerëz të mbuluar me lavë – terrori i tyre – i ngrirë përgjithmonë. Regjizori i filmit Paul Anderson shkoi vetë në qytetin antik për ta parë nga afër.

Historia e Pompeit në filmin “Pompeii”
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00
“Janë gjetur dy trupa bashkë; të dashuruarit thjesht po shihnin njëri-tjetrin. Dhe mua kjo më preku shumë dhe u bë baza e të gjithë filmit”.

Përveç historisë së dashurisë, filmi është edhe një kënaqësi nga aspekti vizual për shikuesit dhe shkencëtarët, duke përfshirë edhe eksperten e vullkaneve Rosaly Lopes dhe arkeologen Sarah Yeomans.

“Mendoj se ata bënë një punë të mrekullueshme për rikrijimin e qyteti”.

“Për këtë lloj filmi u shpik teknologjia 3D. Të bën të zhytesh në këtë qytetërim të lashtë dhe në tërë spektaklin e tij”.

3D tregon edhe pamjet e shpërthimit të Vezuvit, sidomos nxjerrjen e këtyre bombave prej zjarri. Por kjo nuk ndodhi në të vërtetë, thotë zonja Lopes, edhe pse hiri, shtufi dhe gurët mbuluan qytetin. Filmi përfshin tërmete, madje edhe një cunami. Ato ndodhën, thotë zonja Lopes, edhe pse cunami nuk ishte aq i fuqishëm. Ajo vë në dukje se ata që jetojnë afër Vezuvit këto ditë nuk do të kapeshin në befasi.

“Ne tani kemi sisteme paralajmërimi sepse vullkanët nuk shpërthejnë pa ndonjë shenjë pararendëse. Dhe Vezuvi mund të shpërthejë përsëri. Vezuvi ka shpërthime më të vogla dhe kjo do të thotë se nuk do të ishte aq keq sa atëherë”.

Kineastët përshkruajnë edhe politikën e atyre kohrave, të mishëruar nga romakët e pamëshirshëm.

“Pompesit nuk e konsideronin veten tërësisht romakë. Ata u përfshinë pa dëshirën e tyre kur perandoria po zgjerohej”.

Dëshira për liri është një temë që përfshihet në të gjithë filmin, thotë Adewale Akinnuoya-Agbaje. Ai interpreton gladiatorin dhe skllavin Atticus dhe mikun e personazhit kryesor Milo, rol i luajtur nga Kit Harington.

“Liria dhe barazia, janë dëshira të përjetshme, për të cilat luftojmë edhe sot”.

Në jetën e tij personale, ky aktor britanik me origjinë nigeriane ka luftuar për lirinë e zgjedhjes së karrierës së tij.

“Kam bërë studime juridike dhe jam diplomuar për juridik. Aktrimi nuk ishte një profesion i përshtatshëm për brezin e prindërve të mi. Ata menduan se unë po shpërdoroja shkollimin tim por pastaj iu mbush mendja”.

Në përgatitjet për filmin, Akinnuoye – Agbaje dhe Harington iu nënshtruan trajnimit raskapitës fizik në mënyrë që të duken si gladiatorë të vërtetë. Edhe pse Hollivudi mund të ketë përdorur imagjinatën në filmin Pompeii, ekspertët thonë se ai i ofron publikut një ide të mirë të asaj që ndodhi me vullkanin, dhe se si ishte jeta atje para se Vezuvi të shkatërronte qytetin.
XS
SM
MD
LG