Lidhje

Profili i Papa Benediktit


Papa Benedikti XVI, Papa i parë që jep dorëheqjen në afro 600 vjet, vuri vulën e tij si kreu i Selisë së Shenjtë, duke marrë emër si teolog i fortë dhe zbatues i doktrinës së Kishës Katolike.

I pagëzuar me emrin Joseph Ratzinger, ai u bë i pari gjerman që merrte detyrën e Atit të Shenjtë në afro 1000 vjet, kur u zgjodh në vitin 2005 si pasues i Papa Gjon Palit II.

Ai ishte një figurë e njohur në hierarkinë e Kishës Katolike edhe para se të bëhej Papë. Gjatë Papatit të Gjon Palit II, ai mori detyrën e kreut të zyrës që mbikqyr dhe zbaton doktrinën e Kishës. Por karakteri i tij më i rezervuar nuk e lejoi që të merrte kurrë statusin që kishte paraardhësi i tij më karizmatik, Papa Gjon Pali II.

Papa Benedikti solli gjatë Papatit të tij disa pikëpamje të forta që shkaktuan shumë polemika. Ai kundërshtonte idenë që gratë të lejoheshin të bëheshin priftëresha dhe e cilësoi homoseksualitetin si një mëkat i brendshëm moral. Papa Benedikti po ashtu ka argumentuar se Turqia myslimane nuk ka vend në Evropën e krishterë. Në një dokument të kishës ai shprehet se Katolicizmi është feja e vetme e vërtetë.

Gjatë viteve të tij si Papë, Benedikti ka punuar për të forcuar mësimet e kishës kundër abortit, profilaktikëve dhe laicizmit.

Gjatë tetë vjetëve si kreu i Selisë së Shenjtë hasi një numër sfidash, përfshirë skandalin e rëndë të abuzimit seksual të fëmijëve në duart e disa priftërinjve si dhe rënien e numrit të besimtarëve që ndjekin Katolicizmin në Evropë dhe Amerikën Latine.
XS
SM
MD
LG