Lidhje

Cili do të zëvendësojë Papa Benediktin?


Dorëheqja e papritur e Papa Benediktit të 16-të, ka bërë që katolikët anembanë botës të hamendësojnë se cili do të jetë zëvendësi i tij si drejtues i besimit më të madh të krishterë në botë.

Shumë prej tyre besojnë se papa i ardhshëm do të jetë nga vendet në zhvillim - kryesisht nga Amerika Latine, ku katolicizmi është besimi kryesor, ose nga Afrika, ku numri i katolikëve është në rritje. Por ka një ndjeshmëri në rritje se papa i ardhshëm mund të jetë nga Amerika e Veriut – Kanadaja ose Shtetet e Bashkuara.

Vetëm pak orë mbasi Papa dha fjalimin e dorëheqjes, nisën spekulimet e para në Europë se kardinali kanadez Marc Oullet, nigeriani Francis Arinze dhe Peter Turkson nga Gana, ishin kandidaturat më të forta.

Gjithsesi, kardinalë nga Filipinet, Argjentina, Brazili dhe Europa janë përmendur si në mediat laike ashtu edhe në ato kishtare si kandidatë të mundshëm. Në Shtetet e Bashkuara, kardinali Timothy Dolan nga Nju Jorku, është përmendur si një pasardhës i mundshëm i Papës.

Papa Bendikti, i cili është gjerman, është papa i dytë jo italian në më shumë se 500 vjet; paraardhësi i tij, papa Gjon Pali i dytë, i lindur në Poloni, ishte i pari papë jo italian në krye të Vatikanit.

Papa zgjidhet nga grupi i kardinalëve, i cili është niveli më i lartë i klerikëve në kishën katolike.

Kardinalët mblidhen në Vatikan 15 ditë mbas vdekjes së papës ose dorëheqjes së tij, dhe kryejnë një betim të fshehtë ndërsa nisin mbledhjen. Ata janë të izoluar nga bota deri sa një papë i ri të zgjidhet.

Kardinalët votojnë me votim të fshehtë, dhe papa duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave. Mbasi kryhet votimi, votat digjen. Kur papa zgjidhet, mbas numërimit të votave, letrat e votimit lyhen me një lëndë që shkakton tym të bardhë gjatë djegies së tyre,- çka i bën me dije botës se Papa u zgjodh.

XS
SM
MD
LG