Lidhje

Papa uron Krishtlindjet


Përshëndetja e Papa Françeskut për ditën e Krishtlindjes u ndoq nga mijër njerëz të mbledhur në sheshin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan. Papa bëri thirrje për pajtim ndërmjet komuniteteve të përçara dhe u lut për rikthim të paqes në botë.

Dhjetëra mijëra njerëz të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit ndoqën mesazhin tradicional “Urbi et Orbi”, ose ndryshe “mesazhin për qytetin dhe për botën”. Mesazhi i Papa Françeskut zë një vend të veçantë në një vit gjatë të cilit u pa rritja e Shtetit Islamik, i pasuar nga një eksod masiv refugjatësh nga Lindja e Mesme, si dhe sulme terroriste në Evropë dhe SHBA.

Qielli në Vatikan ishte i kthjellët, kur Papa Françesku u tha besimtarëve se “ku lind Zoti, lind shpresa”. Ai bëri thirrje për rikthim të paqes në zona konflikti si në Izrael dhe territoret palestineze dhe kërkoi që njerëzit të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin. Papa tha se ai lutet që OKB-ja të arrijë të ndalojë konfliktin në Siri dhe bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të punojë për të ndaluar aktet mizore në Libi, Iraq, Jemen dhe Afrikë. Duke iu referuar viktimave të sulmeve të fundit terroriste, Papa i quajti “martirë të ditëve të sotme”.

Ndërkohë në Francë, një muaj pas sulmeve terroriste në Paris, ceremonitë për Krishtlindjen u mbajtën në klimën e shqetësimeve të sigurisë.

Po kështu, për shkak të dhunës së vazhdueshme ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve, grumbujt e besimtarëve ishin më të paktë këtë vit në Bethlehem të Bregut Perëndimor, ku Bibla thotë se ka lindur Krishti.

XS
SM
MD
LG