Lidhje

Papa Françesku viziton Shtetet e Bashkuara


Presidenti Obama priti në Uashington Papa Françeskun me një ceremoni ku morën pjesë rreth 15 mijë të ftuar, ndërkohë që njerëz të shumtë ishin mbledhur që në orët e para të mëngjesit pranë Shtëpisë së Bardhë për të përshëndetur Atin e Shenjtë.

Në fjalimin e tij të përshëndetjes, duke iu drejtuar Papa Françeskut, Presidenti Obama tha: “Entusiazmi që ka ngjallur vizita juaj i atribuohet jo vetëm rolit tuaj si Papë, por edhe cilësive tuaja të veçanta si njeri.”

Ai vlerësoi faktin që Papa mishëron thjeshtësinë dhe bujarinë. Presidenti Obama e quajti Papën një udhëheqës, autoriteti moral i të cilit buron jo vetëm nga fjalët por edhe nga veprat e tij. Ai tha se Papa u jep njerëzve besimin për një botë ku ka të ketë më shumë dashuri, një botë më të drejtë dhe më të lirë.

"Ju na kujtoni se në sytë e Zotit, vlera jonë si individë dhe si shoqëri nuk matet me pasuria, fuqia, pozicioni apo fama, por nga ajo se sa i përgjigjemi ne thirrjes së Librave të Shenjtë për të ndihmuar njerëzit e varfër dhe të shpërfillur, për të mbështetur drejtësinë dhe kundër padrejtësisë,” tha Presidenti Obama.

Në fjalën e tij Papa Françesku vlerësoi shumë aspekte të rolit amerikan në botë dhe tha me solemnitet Zoti e bekoftë Amerikën. Ai theksoi prejardhjen e tij – i lindur në Argjentinë nga prindër që kanë emigruar nga Italia në Amerikën e Jugut:

"Si bir i një familjeje imigrante, unë jam i lumtur që vij si mysafir në këtë vend, i cili është ndërtuar kryesisht nga familje të tilla," tha ai. "Do të doja që gjithë burrat dhe gratë me vullnet të mirë të këtij vendi të madh të mbështetin përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të mbrojtur të dobëtit në botën tonë."

Papa Françesku u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të ndërmarrin hapa urgjente për të parandaluar shkatërrimin e mjedisit në botë dhe për të lehtësuar problemin e varfërisë. Ai tha se problemi i ndryshimeve klimatike, nuk mund t’i lihet brezit pasardhës.

Më pas, Presidenti Obama dhe Papa Françesku zhvilluan bisedime private në Zyrën Ovale, për të dolur mbi vlerat që ndajnë dhe jo për çështje politike.

Pas një parade në Parkun Kombëtar të Uashingtonit, Papa drejtoi një takim lutjesh me peshkopët amerikanë, si dhe një meshë ceremoniale për shpalljen shenjtor të Junipero Serras, priftit françeskan, i cili themeloi misionin katolik në brigjet e Kalifornisë, gjatë marshimit me pushtuesit spanjollë.

Shenjtërimi i atit Serra është një çështje që ka lënduar shumë amerikanë indigjenë, të cilët thonë se prifti Serra kontribuoi në abuzimin dhe eliminimin e shumë fiseve indigjene nga skllavërimi dhe sëmundjet.

Papa Françesku mbërriti dje pasdite për një vizitë historike në Shtetet e Bashkuara. Ai arriti në aeroportin "Andrews", pranë Uashingtonit, ku u prit nga Presidenti Obama dhe familja e tij, pas një vizite tre-ditore në Kubë. Në Havanë ai u prit si një hero, për ndihmën që t'i jepej fund marrëdhënieve të prishura diplomatike prej pesë dekadash mes Havanës dhe Uashingtonit.

Pasi iu ofrua një mirëseardhje nga familja Obama dhe i shoqëruar nga duartrokitjet e qindra dashamirësve, Papa Françesku u drejtua për në misionin diplomatik të Vatikanit, ku ai do të qëndrojë gjatë vizitës së tij në Uashington.
Në vend të një limuzine luksoze, Papa 78-vjeçar hipi në një veturë të thjeshtë Fiat, në ngjyrë të zezë, duke përshëndetur me dorë turmat entuziaste që ishin rreshtuar nëpër rrugët drejt misionit të Vatikanit.

Që nga zgjedhja e tij në postin më të lartë të Kishës Katolike, Papa Françesku, i lindur në Argjentinë, ka tërhequr admirimin e miliona njerëzve për përpjekjet e tij për të luftuar varfërinë, pabarazinë në të ardhura, format e egra të kapitalizimit dhe ndryshimet klimatike. Ai është ndeshur njëkohësisht me kritika intensive nga disa konservatorë në SHBA.

Gjatë udhëtimit të tij me avion nga Kuba për në Uashington, Papa tha se mësimet e tij janë thjesht pjesë e "doktrinës sociale të kishës".

Papa Françesku pritet të trajtojë këto tema kur ai të bëhet Papa i parë në histori që mban një fjalim para dy dhomave të Kongresit amerikan.

Por ai u tha gazetarëve se nuk ka për ta përdorur fjalimin e tij në Kongres për t'i bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t'i japin fund embargos tregtare të periudhës së Luftës së Ftohtë ndaj Kubës komuniste.

Të premten Papa shkon në Nju Jork, ku do të flasë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Të shtunën në mëngjes, Papa do të shkojë në Filadelfia, ku do të marrë pjesë në takimin e organizuar nga Vatikani "Takimi botëror i familjeve".

XS
SM
MD
LG