Lidhje

Popullsia e botës pritet të arrijë në 7 miliardë banorë

  • Margaret Bashir

Popullsia e botës pritet të arrijë në 7 miliardë banorë

Popullsia e botës pritet të arrijë në 7 miliardë banorë

Popullsia e botës pritet që të hënën, më 31 tetor, të arrijë shifrën e 7 miliardë banorëve. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Beshir, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, ky moment historik do të ketë ndikime të një spektri të gjerë:

Një raport i ri mbi gjendjen e popullsisë së botës thotë se masat që ne marrim tani do të përcaktojnë të ardhmen tonë, në se ajo do të jetë e shëndetshme dhe e begatë, apo në se ajo do të karakterizohet nga pabarazia, degradimi i mjedisit, apo rënia ekonomike.

Raporti argumenton se shifra 7 miliardë mund të shihet nga një këndvështrim pozitiv, sepse ajo pasqyron arritjet që po na lejojnë shumë prej nesh t’i mbijetojmë procesit të lindjes dhe për të jetuar më gjatë. Por Richard Kollodge, një nga autorët e studimit, thotë se kjo thekson njëkohësisht hendekun që ekziston brenda vendeve të ndryshme të botës dhe midis tyre, sidomos në botën në zhvillim.

“Në shumë vende me të ardhura të pakta të Afrikës Nën-Sahariane dhe disa të Azisë, rritja e popullsisë po ndodh më shpejt se rritja ekonomike dhe aftësia e qeverive për të siguruar shërbimet e nevojshme. Në shumë vende me të ardhura mesatare, ku rritja e popullsisë është e stabilizuar, çështja e urbanizimit dhe faktori i migracionit ndikojnë së tepërmi tek dinamika e zhvillimit të popullsisë.”

Raporti parashikon që Azia, me 4,2 miliardë banorët e saj, do të mbetet rajoni më i populluar i botës për këtë shekull. Por edhe popullsia e Afrikës pritet të rritet së tepërmi, duke u trefishuar, nga 1 miliard këtë vit, në 3,6 miliardë banorë në fillim të shekullit të ardhshëm.

Autori i studimit Kolloxh i tha gazetarëve ditën e publikimit të raportit, se dhjetra vende me popullsi më të vogël, po ashtu po ndeshen me sfida, por të një lloji të veçantë.

“Në shumë vende evropiane, në Japoni dhe gjetkë, numri i lindjeve ka rënë nën nivelin e riprodhimit dhe qeveritë e këtyre vendeve përballen ne sfida përsa u përket mungesës së vendeve të punës dhe produktivitetit, që mund të rrezikojë cilësinë e jetës për popullsitë që po plaken.”

Kontinenti amerikan, Evropa dhe Oqeania, tani kanë së bashku një popullsi prej rreth 1,7 miliardë banorësh. Fondi i Popullsisë i OKB-së thotë se deri në vitin 2060 këto kontinente pritet të arrijnë vetëm shifrën e dy miliardë banorëve dhe të qëndrojnë rreth kësaj shifre deri në fund të shekullit.

Studjuesi i popullsisë Kolloxh thotë se duhen bërë përpjekje tani për të gjetur rrugë se çfarë duhet bërë për të patur zhvillim pa dëmtuar mjedisin në të ardhmen. Ai thotë se një nga veprimet më të rëndësishme është edukimi i grave, që ato të marrin pjesë plotësisht në shoqëri, duke marrë vendime për riprodhimin pasi të jenë mirëinformuar dhe se burrat dhe djemtë duhet të marrin pjesë në këtë dialog.

“Duhet marrë parasysh që në vendet në zhvillim ka ende 215 milionë gra të moshës së aftë për ripodhim, të cilat përdorin mjetet e planifikimit familjar vetëm në se i kanë ato. Ka miliona djem dhe vajza adoleshente në vendet në zhvillim, që nuk kanë informacionin e nevojshëm lidhur me parandalimin e shtatzanisë, ose për t’u vetëmbrojtur nga Sida.”

Studjuesi Kolloxh dhe autorë të tjerë të studimit po ashtu u bëjnë thirrje qeverive të investojnë në fushën e shëndetësisë dhe të arsimimit të fëmijëve të tyre; të përpiqen për çrrënjosjen e varfërisë dhe të marrin masa për popullsitë e tyre që po bëhen përherë e më të moshuara; të jenë të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe të planifikojnë për zmadhimin e qyteteve, sepse pikërisht atje është duke migruar popullsia e planetit.

XS
SM
MD
LG