Lidhje

Poroshenko, dekret për ndalimin e gazetarëve


Dy organizata ndërkombëtare kanë kritikuar presidentin ukrainas Petro Poroshenko për ndalimin e 41 gazetarëve dhe blogerëve ndërkombëtarë të hyjnë në Ukrainë për një vit.

Përmes një deklarate, OSBE-ja e cilësoi këtë masë “një kërcënim të madh për të drejtat e gazetarëve për të grumbulluar lirisht informacionin”.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Shtypit, Dunja Mijatović, tha se qeveritë kanë “të drejtën legjitime për të luftuar terrorizmin dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe të qytetarëve të tyre”, por “vendosja e kufizimeve që kontrollojnë lëvizjen e lirë të gazetarëve nuk është një mënyrë për të patur siguri.”

Ajo i bëri thirrje zotit Poroshenko “ta ndryshojë dekretin dhe t’i përjashtojë gazetarët prej tij”, duke shtuar se autoritetet ukrainase “duhet ta lehtësojnë punën e gazetarëve dhe mos krijojnë vështirësi administrative për hyrjen e tyre.”

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve e dënoi dekretin përmes një deklarate. Koordinatorja e Komitetit për programet e Europës dhe Azisë Qendrore, tha se “ndërsa qeveria mund të mos e pëlqejë, apo të mos jetë dakord me mbulimin e ngjarjeve, cilësimi i gazetarëve si kërcënim për sigurinë kombëtare nuk është përgjigja e përshtatashme”. Ajo shtoi se dekreti “minon interesat e Ukrainës, përmes bllokimit të lajmeve dhe informacioneve jetike, që e informojnë publikun botëror rreth krizës politike të vend.”

Ndërsa gazetarët e BBC-së në Moskë, Steve Rosenberg, Emma Wells dhe Anton Chicherov – ishin mes gazetarëve të ndaluar, zoti Poroshenko tha se i kishte kërkuar Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vendit, që t’i heqë ata nga lista.

“Lirija e shtypit është për mendimin tim një vlerë absolute”, - tha zoti Poroshenko në një takim me ambasadoren e Britanisë në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG