Lidhje

Portret i Gjeneralit Dejvid Petreas

  • Carolyn Pressuti

Portret i Gjeneralit Dejvid Petreas

Portret i Gjeneralit Dejvid Petreas

Presidenti Barack Obama thotë se strategjia amerikane në Afganistan do të mbetet e njëjtë, megjithë vendimin e tij për të zëvendësuar gjeneralin që drejtonte këtë luftë. Gjenerali Stanley McChrystal dha dorëheqjen pas debateve mbi artikullin e një reviste ku ai dhe ndihmësit e tij shpreheshin me përbuzje për anëtarët e administratës së presidentit Obama. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Robert Gates tha se komentet e gjeneralit McChrystal treguan një gjykim të dobët. Por cili është njeriu që do ta zëvendësojë atë.

Qershori ishte muaji me numrin më të madh të viktimave për trupat amerikane dhe ato ndërkombëtare në Afganistan.

Të paktën 79 ushtarë humbën jetën. Kjo ndodh ndërsa Shtetet e Bashkuara po ndryshojnë komandantin e tyre të lartë.

Gjenerali Stanley McChrystal dha dorëheqjen pas komenteve të papërshtatshme të bëra në media për administratën.
Në vend të tij vjen kreu i Komandës Qëndrore Amerikane, gjenerali David Petraeus, i cili ishte shefi i gjeneralit McChrystal.

Presidenti Obama tha se politika në Afganistan nuk do të ndryshojë.
"Gjenerali Petraeus e kupton atë strategji pasi ai ndihmoi në hartimin e saj. Pres që ai do ta zbatojë atë në mënyrë të shkëlqyer".

Ekspertët ia atribuojnë gjeneralit Petraeus strategjinë e suksesshme kundër kryengritësve në Irak. Muajin e kaluar, gjenerali me katër yje tha se e dinte mirë detyrën që i shtrohej përpara.
"Ashtu si në Irak, realiteti është se çdo gjë në Afganistan është e vështirë. Është e vështirë gjithë kohën dhe zakonisht bëhet më e vështirë dhe jo më e lehtë".

Vetë gjenerali Petraeus ka një stil praktik, duke marrë rreziqe për të ecur mes njerëzve të thjeshtë në zonat e konfliktit.

Ai ka thënë gjithashtu se është e rëndësishme për një komandant të jetë shumë i ndershëm rreth përpjekjeve të luftës.

Disa analistë parashikojnë se ndryshimi i komandës do të ngadalësojë përparimin në Afganistan derisa gjenerali Petraeus të marrë forcën.

Sekretari i Mbrojtjes Robert Gates.
"Askush, qofshin kundërshtarët tanë apo miqtë tanë dhe veçanërisht trupat tona duhet të mos keqinterpretojnë këto ndryshime të personelit si plogështi të angazhimit të qeverisë sonë në Afganistan".

Detyra e gjeneralit Petraeus – lufta kundër kryengritësve - përfshin veprime ushtarake, por varet gjithashtu edhe nga marrëdhëniet civile për të dalë me sukses.

Ekspertët thonë se është e rëndësishme që ushtria dhe ambasadori amerikan të flasin me një gjuhë.

Profesori i universitetit Johns Hopkins Tom Keaney ka shërbyer 30 vjetë me forcat ajrore amerikane. Ai thotë se gjenerali McChrystal asnjëherë nuk pati marrëdhënie të mira me ambasadorin Karl Eikenberry

Zoti Keaney thotë se gjenerali Petraeus kultivoi marrëdhënie të mira me zyrtarët irakianë që ndihmoi kauzën.
"Marrëdhëniet e tij me institucionet politike nuk ishin thjesht të përzemërta, por ai i shtynte ata të bënin ndryshime. Kështu që një marrëdhënie e mirë është e rëndësishme por të kesh influencë për atë që drejtuesit e atij vendi do të bëjnë është gjithashtu e rëndësishme".
Me këtë ndryshim, disa thonë se gjenerali Petraeus do të pasurojë rezumenë e tij si një kandidat i ardhshëm presidencial.

Ekziston një faqe elektronike e titulluar Petraeus 2012. Por vetë gjenerali mohon të ketë ndonjë ambicje politike.
Kjo ka ndodhur në të kaluarën, me gjeneralin e Luftës së Dytë Botërore Dwight D. Eisenhower.
Michael O’Hanlon është me Institutin Brookings.
"Eisenhoweri dhe padyshim Ulysses Grant. Ka një traditë që i bën gjeneralët si udhëheqës të fuqishëm rreth të cilëve mblidhet kombi".
Për gjeneralin Petraeus, emërimi mund të jetë një ndryshim nga e kaluara. Deri tani ai njihej për suksesin në Irak. Këtej e tutje ai përballet me një provë që re për të cilën pohon se nuk do të jetë e lehtë.

XS
SM
MD
LG