Lidhje

Portretizimi i sëmundjeve pandemike në filma


Të gjithe ne e dimë se filmat e Hollivudit nuk janë të vërtetë, por sa të saktë janë skenarët për sëmundjet vdekjeprurëse – duke përfshirë viruset si ebola – të cilat portretizohen në filma? Korrespondentja e Zërit të Amerikës Deborah Block bisedoi me një ekspert të sëmundjeve ngjitëse për të gjetur përgjigjen.

Filmi i vitit 1995 Outbreak përqëndrohet te një virus imagjinar i ngjashëm me ebolën, i cili vjen në Shtetet e Bashkuara nga Afrika. Virusi ndryshon gjenetikisht dhe fillon të përhapet në një qytezë. Filmi flet për një serum misterioz, një karantinë të ushtrisë amerikane në qytezë dhe mbi një plan për të fshehur ekzistencën e virusit.

Eksperti i sëmundjeve tropikale, Dr. Peter Hotez, i cili bisedoi me Zërin e Amerikës nëpërmjet Skype-it, thotë se drama në këto lloj filmash është thjeshtë dramë.

“Problemi me këta filma është se kanë tendencë për të dhënë një ide të rremë se cilat janë rreziqet e vërteta nga sëmundjet ngjitëse.”

Një tjetër virus ekzotik është tema kryesore e filmit të vitit 2011, Contagion, i cili fillon me një kollitje, e ndjekur nga gripi dhe infeksioni në tru...dhe pastaj panik të plotë.

Dr. Hotez thotë se publiku duhet t’i shohë këta filma ashtu siç janë në të vërtetë – trillime dhe argëtim.

“Filmat e pëshkruajnë shumë keq se si përhapen sëmundjet ngjitëse, si reagojnë ekspertët dhe se si do të përpiqeshin ata ta kontrollonin sëmundjen.”

Madje, ai mendon se filmat rreth sëmundjeve pandemike bëjnë më shumë dëm se sa ofrojnë argëtim.

“Njerëzit mund të kenë frikë të pajustifikuar, dhe nganjëherë kërcënimet imagjinare mund të sjellin dëm.”

Ai flet rreth filmave që tregojnë se si sëmundjet vdekjeprurëse përhapen nga qendrat kërkimore.

“Puna në laboratorët e kontrollit është jashtëzakonisht e kujdesshme; jo se është e pamundur të ndodhë, por nuk ka gjasa të ndodhë.”

Dr. Hotez beson se mundësia e përhapjes së ebolës në Shtetet e Bashkuara është e vogël. Por edhe nëse do të vinte në Amerikë, virusi do të vihej nën kontroll.

“Nëse kjo do të ndodhte në një qendër të madhe urbane amerikane, ky do të ishte një mjedis shumë më ndryshe, ku mund ta kontrollojmë infeksionin, sepse këtu ndodhet Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, ka departamente shtetërore dhe lokale të shëndetsisë.”

Por disa elementë mund të jenë të vërtetë...

“Disa nga përpjekjet e karantinës mund të jenë heroike dhe dramatike prandaj nuk është e paimagjinueshme të shihnim elementë të tillë, siç përshkruhen nga Hollivudi.”

Ai thotë se ne nuk mund të varemi nga filmat për të informuar publikun rreth ebolës dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse...ose rreth vaksinave dhe ilaçeve për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e tyre.

XS
SM
MD
LG