Lidhje

Portugalia kërkon ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian


Portugalia kërkon ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian
Portugalia kërkon ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian

Portugalia po punon me Bashkimin Evropian për një paketë ndihmash, që mund të kapë shifrën e 100 miliardë dollarëve, pas një rezistence disa mujore ndaj marrjes së borxheve emergjente. Kryeministri portugez, Zhoze Sokrates tha dje se Portugalia ka nevojë tani për një paketë ndihmash për shkak të borxheve të saj të mëdha dhe vështirësive për të tërhequr kapital për të rifinancuar huatë ekzistuese. Banka Qendrore Evropiane rriti sot normat e interesit, me 0,25 për qind, duke arritur në 1,25 për qind:

Portugalia është bërë vendi i tretë evropian që kërkon ndihmë financiare, si rezultat i barrës së borxheve. Kryeministri i vendit Zhoze Sokrates e njoftoi vendimin dje si një domosdoshmëri për të garantuar përmbushjen e nevojave imediate financiare të vendit:

“Detyrimi dhe përgjegjësia ime është të vë në radhë të parë interesin kombëtar. Prandaj njoftoj popullin portugez se kam vendosur t’i kërkoj Komisionit Evropian ndihmë financiare për të garantuar financimin e vendit, në të mirë të sistemit tonë financiar dhe ekonomisë kombëtare. E morëm këtë vendim duke pasur parasysh gjendjen e vendit dhe kufizimet kushtetuese të qeverisë sonë, si një qeveri e përkohëshme”.

Me këtë vendim të qeverisë së kryeministrit Zhoze Sokrates, Portugalia ndjek shembullin e Greqisë dhe Irlandës duke kërkuar ndihmë nga fondi evropian për kriza financiare dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sipas parashikimeve të analistëve, Portugalisë do t’i duhen ndihma në shumën 80 miliardë dollarë, një shifër e përballueshme për financat e Evropës.

Mundësia e një pakete ndihmash për Portugalinë ka qenë në diskutim prej muajsh, ndërkohë që vendi përballej me probleme të mëdha financiare dhe shqetësimet e investitorëve për aftësinë e vendit për të paguar borxhet.

Dorëheqja e qeverisë 3 javë më parë, duke e lënë vendin pa një administratë plotësisht funksionale deri në zgjedhjet e qershorit, i thelloi këto shqetësime.

Dy agjenci që vlerësojnë tregjet financiare, e ulën ndjeshëm vlerësimin për letrat me vlerë të Portugalisë, gjë që u përcoll me panik nga udhëheqësit portugezë dhe evropianë.

XS
SM
MD
LG