Lidhje

50 vjetori i luftës kundër varfërisë


Në 50 vjetorin e luftës së shpallur nga ish presidenti Lyndon Johnson mbi varfërinë, ligjvënësit republikanë dhe demokratë premtuan të vazhdojnë përpjekjet me përqasje të ndyrshme. Senatori republikan Marco Rubio tha se qeveria federale dështoi në përpjekjet e saj për t’i dhënë fund varfërisë dhe propozoi një rrugë të re për të ardhmen. Demokratët e kundërshtojnë.

Në janar të vitit 1964, presidenti Lyndon Johnson ishte i vetëdijshëm se gati një në çdo pesë amerikanë jetonte në varfëri. Ai e shtroi këtë çështje në fjalimin e tij të parë mbi gjendjen e vendit.

“Kjo administrate sot, këtu dhe tani, deklaron luftë pa kushte kundër varfërisë.”

50 vjet më vonë, gati një në shtatë amerikanë ende jeton në varfëri. Senatori republikan Marco Rubio thotë se lufta e nisur nga qeveria e presidentit Johnson ka dështuar.

“Në vend që të nxisë një ekonomi të frymës së lirë, qeveria jonë federale është një pengesë madhore për biznesin dhe njerëzit e zgjuar."

Rubio thotë se ka nevojë për një përqasje të re.

"Propozoj që t’i përmbysim programet e Uashingtonit kundër varfërisë dhe trilionat e dollarëve që shpenzohen në to. "

Demokratët në kongres mbrojnë programet e presidentit Johnson për ushqim, kujdes shëndetësor dhe përfitime pensioni për të varfërit dhe të moshuarit. Senatori demokrat Dick Durbin:

"Pra çfarë ka arritur kjo luftë kaq e përfolur 50 vjeçare mbi varfërinë? Programet e kujdesit shëndetësor për të moshuarit, programet e edukimit për fëmijët në shkolla fillore dhe të mesme dhe të tjera si këto që shënuan herën e parë që vendi ynë angazhonte qeverinë federale për të ndihmuar shkollat, dhe që shtonte grantet dhe huatë për ata që duan të studiojnë."

Analistët nuk janë dakort me rezultatet e Luftës kundër Varfërisë. Ron Haskins në Institutin Brookings thotë se vendi është më mirë sesa ç’do të ishte pa këto programe.

"Sistemi i ndihmës për kujdesin shëndetësor – është zemra dhe shpirti i politikës sociale amerikane së bashku me programin e sigurimit social. Ato kanë patur një ndikim dramatik për të varfërit dhe të moshuarit.”

Michael Tanner në Institutin Cato thotë se programet nuk e kanë eliminuar varfërinë.

"Programet tona janë hartuar me synimin për t’u dhënë të varfërve pak më tepër para në mënyrë që të mos jenë të uritur apo shumë të varfër. Por ato nuk përqëndrohen në rrugët për t’i nxjerr ata nga varfëria."

Presidenti Obama thotë se varfëria është çështja përcakuese e kohëve tona dhe republikanët dhe demokratët ka të ngjarë të ballafaqohen për çështjen e zgjatjes së asistencës së papunësisë, dhe çështje të tjera që lidhen me varfërinë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG