Lidhje

Pranohet ekzistenca e marrëveshjes midis kryeministrit dhe presidentit rus për shkëmbimin e posteve


Pranohet ekzistenca e marrëveshjes midis kryeministrit dhe presidentit rus për shkëmbimin e posteve
Pranohet ekzistenca e marrëveshjes midis kryeministrit dhe presidentit rus për shkëmbimin e posteve

Duke i dhënë fund spekulimeve të disa muajve me rradhë, kryeministri Vladimir Putin pranoi të shtunën se ai do të kandidojë për një mandat të tretë për postin e presidentit, marsin e ardhshëm. Zoti Putin ka shërbyer si president i Rusisë nga viti 2000 deri në vitin 2008.

Kushtetuta e Rusisë është ndryshuar dhe tashmë ajo lejon dy mandate gjashtë vjeçare, kështu që një fitore do të mund t’i hapte dyert një çerek shekulli zotin Putin si President. Nëse ai do të fitojë dy mandate si president, ai do të mund të qëndronjë në atë post deri në vitin 2024. Në historinë bashkëkohore, vetëm udhëheqësi Josif Stalin ka drejtuar Rusinë për një periudhë aq të gjatë.

Duke folur në një kuvend të Partisë Rusia e Bashkuar në Moskë, kryeministri Putin emëroi presidentin Dmitry Medvedev si personin në krye të listës së partisë në pushtet për zgjedhjet parlamentare të 4 dhjetorit. Zoti Putin tha më pas se ai pret që personi i favorizuar prej tij të shërbejë si kryeministër i ardhshëm i Rusisë.

Analistët kanë kohë që shprehen se zoti Medvedev ishte thjesht një “figurë kukull”, dhe që zoti Putin shërbeu si kryeministër për shkak të kufizimeve kushtetuese. Tashmë, të dy udhëheqësit janë shprehur publikisht se katër vjet më parë, në fillimin e mandatit të zotit Medvedev si president, kishin bërë një marrëveshje për shkëmbimin e posteve.

Zoti Medvedev tha se ishte një vendim i menduar më së miri, që ai dhe zoti Putin kishin diskutuar qysh në fillimin e bashkëpunimit të tyre politik në drejtimin e vendit.

Kuvendi i së shtunës i Partisë Rusia e Bashkuar shtoi akuzat që thonë se kjo parti është pasardhësja e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në një aktivitet të organizuar me kujdes në stadiumin më të madh të Rusisë, rradhët e rregullta të delegatëve të veshur me kostume të zeza aprovuan pothuajse unanimisht me votën e tyre listën e kandidatëve të kryesuar nga presidenti Medvedev.

Zoti Putin, një specialist i sportit xhudo, ruan popullaritetin e vet me një shumëllojshmëri aktivitetesh televizive. Së fundmi, ai veshi një kostum polumbari për zbulime arkeologjike në Detin e Zi, dhe më vonë një xhaketë lëkure të zezë duke drejtuar një motor, së bashku me grupin e motorçiklistëve të quajtur Ujqit e Natës.

Të shtunën kur mikrofoni i tij nuk po punonte, kryeministri, që është ish-anëtar i KGB-së, bërtiti: “Nuk e kam humbur zërin prej komandanti.”

Por udhëheqësi aktiv i Rusisë është më i preferuar sesa partia e tij. Katër vite më parë, në zgjedhjet e fundit parlamentare, Partia Rusia e Bashkuar mori 64 përqind të votave. Sot, popullariteti i zotit Putin është ende në ato nivele, por pëlqyeshmëria ndaj partisë ka rënë në rreth 40 përqind.

Të premten zoti Vladimir Putin u tha anëtarëve të partisë “të dëgjonin zërin” e votuesve.

Kritikët thonë se Rusia nuk është rikthyer në nivelet ekonomike që gëzonte tre vjet më parë – kur perëndimi ra në një recesion të thellë. Me kërcënimin e një tjetër recesioni të mundshëm, kryeministri i Rusisë paralajmëroi anëtarët e partisë të premten se do të mund t’u duhej të kapërcenin “kokrra të hidhura” të masave ekonomike shtrënguese.

Të shtunën, ministri i financave, Alexei Kudrin paralajmëroi gazetarët në Uashington se bota, përfshi Rusinë, po përballet me një “dekadë të humbur” rritjeje të ngadaltë ekonomike.

Këtë javë, bursa dhe tregu valutor rus ranë në nivelin e tyre më të ulët në dy vjet. Këtë vit, pritet që Rusia të pësojë një rrjedhje kapitali prej 35 miliardë dollarësh.

Duke patur parasysh që nafta, gazi natyror, dhe mineralet përbëjnë 80 përqind të eksporteve ruse, analistët janë të shqetësuar se çdo problem që mund të ketë Kina do të mund të ketë pasoja të shumëfishta mbi Rusinë.

XS
SM
MD
LG