Lidhje

Pranvera Arabe, frymëzim për protestat në Evropë


Pranvera Arabe, frymëzim për protestat në Evropë
Pranvera Arabe, frymëzim për protestat në Evropë

Janari në Tunizi solli protesta që filluan në një qytet të vogël të quajtur Sidi Buzid dhe arritën kulmin me dorëheqjen e Presidentit Zine el Abidin Ben Ali.

Protesta të ngjashme shpërthyen më pas në Egjipt duke detyruar largimin nga pushteti të Presidentit Hosni Mubarak.

Me shkallëzimin e protestave, lëvizja u pagëzua me emrin “Pranvera Arabe”.

Meri Kaldor pat marrë pjesë në lëvizjen opozitare në Hungari gjatë Luftës së Ftohtë. Ajo tani është pedagoge mbi qeverisjen në Universitetin Ekonomik të Londrës:

“Njerëzit presupozojnë se Lindja e Mesme ishte e ndryshme dhe kjo bazohet në bindjen se feja islame është ndryshe. “Ata nuk janë si ne” është opinioni i përgjithshëm. Ky ishte opinioni që ekzistonte edhe kur filloi lufta kundër terrorizmit. Tani Pranvera Arabe i ka hedhur poshtë këto supozime. Kjo lëvizje po tregon se arabët janë po aq demokratikë sa kushdo tjetër”.

Ashtu siç mori hov Pranvera Arabe, edhe Evropa u përfshi nga protestat.

Në Athinë mijëra vetë demonstruan kundër paketës së shkurtimeve buxhetore të qeverisë greke dhe masave të privatizimit. Pedagogia shpjegon:

“Mendoj se çdo gjë lidhet me dështimin në sistemin e përfaqësimit, pra në bindjen se klasa politike është e veçuar nga popullata dhe se ndaj saj nuk mund të ushtrohet ndikim. Popullata ndjeu revoltim ndaj idesë se kostoja e shpëtimit të bankave po binte në kurrizin e tyre. Një revoltim i ngjashëm u vërejt edhe në botën arabe. Pra ka shumë ngjashmëri mes zhvillimeve në Evropë dhe në botën arabe”.

Në Londër, protestuesit ngritën zërin kundër masave shtrënguese të qeverisë së tyre.

Skena të tilla u vërejtën edhe në vende të tjera në Evropë. Në Madrid protestuesit mbushën sheshin Puerta del Sol në një akt që e prezantuan si të frymëzuar nga ngjarjet në sheshin Tahrir të Kajros disa muaj më parë.

Ouen Tudor është sekretari ndërkombëtar i Bashkimit të Sindikatave në Britani. Ai thotë:

“Mendoj se ka dallime të qarta mes lëvizjeve në vende të ndryshme. Ne flasim për demokraci evropiane nga njëra anë dhe regjime diktatoriale në një pjesë të mirë të Afrikës Veriore. Por shumë nga shkaqet që nxitën lëvizje të tilla janë të ngjashme. Revoltat lidhen me krizën ekonomike”.

Zoti Tudor thotë se sindikatat kishin rol të rëndësishëm në grevat në Egjipt, të cilat nxitën lëvizjen që rrëzoi nga pushteti Mubarakun. Sindikatat evropiane po rrisin mbështetjen për sindikatat arabe.

“Edhe ata, nga ana e tyre, kanë ardhur në Evropë dhe kanë zhvilluar bisedime me sindikalistët në Britani e vende të tjera të Evropës. Shpesh këto takime kanë qenë burim frymëzimi mbi mënyrën si organizohet mbështetja popullore”- thotë ai

Disa vëzhgues argumentojnë se lëvizja ka ngelur në vendnumëro në Siri. Por pedagogia Kaldor thotë se protestat e kanë dhënë rezultatin duke ndryshuar përfundimisht dinamikën gjeopolitike të rajonit. Meri Kaldor thotë:

“Viti 1989 solli përfundimin e Luftës së Ftohtë. Mendoj se viti 2011 arriti ta nxjerrë në plan të dytë Al-Kaidën. Osama bin Ladeni mund të jetë vrarë fizikisht në Pakistan, por ai u vra politikisht në demonstratat e Lindjes së Mesme”.

Rezultati përfundimtar i protestave në Evropë dhe në botën arabe mbetet i paqartë. Por analistët thonë se 2011 do të hyjë në histori si viti i ndryshimeve vendimtare.

XS
SM
MD
LG