Lidhje

Pranvera Arabe paraqet sfida për fuqitë perëndimore dhe rajonale

  • Al Pessin

Pranvera Arabe paraqet sfida për fuqitë perëndimore dhe rajonale

Pranvera Arabe paraqet sfida për fuqitë perëndimore dhe rajonale

Shtete të Lindjes së Mesme në të cilat u zhvilluan protesta vitin e shkuar po lëvizin drejt demokracisë me ritme të ndryshme dhe me nivele suksesi të ndryshme. Ndërkohë, fuqi të mëdha në rajon dhe në vende të tjera po punojnë për t’u përballur me ndryshimet.

Protestat në Tunizi, Egjipt dhe Libi krijuan një eufori të madhe në ato vende. Ndryshimet u mirëpritën edhe nga fuqitë perëndimore, megjithëse ato ngritën shqetësime se udhëheqësit e rinj mund të mos ishin aq miqësorë sa autokratët që u rrëzuan.

Philip Luther është drejtor i përkohshëm i punëve të Lindjes së Mesme në organizatën Amnesty International.

“Situata është pak ironike, pasi ka një lloj pasigurie nga jashtë lidhur me pyetjet se si do jenë qeveritë e reja, kush do të jenë personat në to dhe cilat parti politike do t’i formojnë këto qeveri.”

Zoti Luther thotë se Perëndimi nuk duhet të shqetësohet vetëm mbi çfarë qeveritë e reja në Lindjen e Mesme mund të bëjnë në kuadër të politikave të tyre të jashtme dhe të drejtave të njeriut, por ato duhet t’i gjykojnë këto qeveri bazuar tek veprimet që ato ndërmarrin.

Ai thotë gjithashtu se fuqitë rajonale të Lindjes së Mesme, veçanërisht udhëheqësit klerikë të Iranit dhe familja mbretërore e Arabisë Saudite, nuk kanë qenë aspak të qëndrueshëm në reagimet e tyre ndaj protestave, duke u përqëndruar më tepër tek interesat e veta sesa tek të drejtat universale apo demokracia.

“Ajo që tërheq shumë vëmendjen është paqëndrueshmëria e atyre deklaratave dhe hipokrizia që gjendet pas tyre, sepse në të njëjtën kohë që ata kritikojnë atë çfarë ndodh në një vend, ata nuk shohin se çfarë ndodh diku tjetër dhe se çfarë ndodh në vendet e tyre.”

Ndërkohë, fuqitë perëndimore dhe rajonale po përpiqen të parashikojnë se çfarë do të ndodhë më tej në Lindjen e Mesme dhe situata paraqitet e ndërlikuar.

Tunizia duket të jetë duke përjetuar tranzicionin më të qetë, krahasuar me vendet e tjera.

Në Egjipt, protestat vazhdojnë ndërkohë që udhëheqësit e ushtrisë nuk i dorëzojnë pushtetin parlamentit të ri.

Disa nga grupet kryengritëse të armatosura të Libisë nuk pranuan t’i bashkoheshin ushtrisë.

Protestuesit në Jemen kundërshtojnë planin e tranzicionit të mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar sepse parashikon amnisti për ish Presidentin e tyre.

Siria, Bahreini dhe Arabia Saudite vazhdojnë të shtypin protestat dhe të bllokojnë reformat.

Analisti për Lindjen e Mesme Anthony Skinner i firmës për përllogaritjen e rrezikshërisë Maplecroft, foli nëpërmjet Skypit.

“Unë mendoj se po bëhet gjithmonë e më e qartë se ky nuk është një proces afat shkurtër. Ky është një mundim i gjatë e i vazhdueshëm. Edhe pse mund të zbutet në disa momente, ai mund të fillojë sërish. Kjo besoj se është pranuar. Por pa dyshim duhen konsideruar edhe përllogaritjet e interesave politike të personave të fuqishëm.”

Disa analistë thonë se ato përllogaritje interesash politike, për momentin, mund të kërkojnë vetëm kujdes. Por më vonë, thonë ata, për shkak të njëjtave përllogaritje interesash politike mund të duhet që fuqitë botërore t’a trajtojnë Lindjen e Mesme për atë që është dhe jo për çfarë ishte më parë.

XS
SM
MD
LG