Lidhje

Libri ”Pranvera e Heshtur” tregon rrezikun e pesticideve


50 vite më parë, Rachel Carson shkroi dhe botoi librin “Pranvera e heshtur”. Ky libër ishte i parakohshëm për atë kohë. Zonja Carson tregonte se pesticidet si DDT-ja dëmtonin mjedisin dhe shëndetin e njerëzve. Ndonëse ky libër u kthye në frymëzim për lëvizjen ambjentaliste, beteja për dëmtimin e mjedisit vazhdon.

Në vitet 1950, departamenti amerikan i bujqësisë shpërndante më shumë se 250 mijë kilogramë pesticide çdo vit. Libri “Pranvera e heshtur” e autores Rachel Carson, zbuloi se pesticide si DDT-ja ishin vdekjeprurëse jo vetëm për insektet por për çdo qenie të gjallë.

Linda Lear është autore e një biogriafie të zonjës Carson.

“Libri “Pranvera e heshtur” i tregon publikut se njeriu mund ta ndryshonte natyrën me mënyra vdekjepërurëse dhe se këto metoda janë po aq të rrezikshme për njerëzit siç janë për gjallesa të tjera të natyrës”.

Libri u shit në më shumë se 6 milion kopje në Shtetet e Bashkuara. Ai u përkthye në rreth 30 gjuhë të ndryshme. Në rrethinat e Uashingtonit, shtëpia ku zonja Carson shkroi librin “Pranvera e heshtur” tani është qendër historike.

Rachel Carson ishte pioniere e një metode të re të shkruari.

“Në librin “Pranvera e heshtur” ajo ka shkruar me një stil të cilin unë e quaj e shkruara apokaliptike. Ajo u përpoq të jepte alarmin për të tërhequr vëmendjen e publikut.”


30 vjet mbasi libri “Pranvera e heshtur” u botua, televizioni publik, në programin “Përvoja Amerikane”, e cilësoi librin si një prej më të rëndësishmëve të kohës tonë.
Por kishte edhe kundërshtarë të librit. Norman Borlaug, fitues i çmimit Nobel për paqen në vitin 1970, kryesoi mbrojtjen e pesticideve.

“Ne kemi probleme për të siguruar ushqimin në këtë botë. Nëse e hiqni DDT-në me këtë histeri që po paraqitet në Shtetet e Bashkuara, Amerika do të importojë ushqim, por atëherë nuk do të ketë mbetur vend ku mund të importojmë”.

Nga vitit 1972, DDT u ndalua të përdorej në kulturat bujqësore në Shtetet e Bashkuara. Por ndërkaq u krijuan mijëra kimikate të reja. Për vite me rradhë, komisioni amerikan për mjedisin është përpjekur që të ndalojë ose të kontrollojë përdorimin e qindra kimikateve në prodhimet bujqësore dhe mallrat e konsumit. Senatori Demokrat Frank Lautenberg thotë:

“Ky komision i mori të dhëna nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, zyrtarët e së cilës na thanë se shkencëtarët e tyre gjetën 212 kimikate industriale, mes tyre 6 kancerogjene, që kërcënojnë shëndetin e njerëzve”.
Në vitin 2006, Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi planet për të përdorur sërish DDT-në - brenda vendit- gjatë fushatës kundër sëmundjes së malarjes. Kompania Syngenta është një prodhues i madh i kimikateve bujqësore. Kjo kompani, njësoj si të tjerat e kësaj industrie, thotë se kimikatet janë të sigurta nëse përdoren siç duhet. Tim Pastoor është shkencëtari kryesor i kompanisë.

“Ne po përpiqemi që të bëjmë çdo studim të duhur për të mbështetur ruajtjen e karakteristikave të produktit”.

50 vjet mbas botimit të librit “Pranvera e heshtur”, miliona kilogramë me pesticide të llojeve të reja dhe kimikate të tjera përdoren nëpër fermat amerikane. Lëvizja ambjentaliste ende e kundërshton këtë fakt.

XS
SM
MD
LG