Lidhje

Arrestohet Prenga, deputet i PS-së


Parlamentari Armando Prenga u përfshi në një konflikt të dhunshëm në Lac. 7 persona mbetën të plagosur, nga të cilët dy me armë zjarri.

Në Shqipëri policia arrestoi sot deputetin e partisë socialiste Armando Prenga, i cili u përfshi mbrëmë në mesnatë në një konflikt të rëndë I cili përfundoi me plagosjen e 7 personave, 2 prej të cilëve me armë zjarri. Opozita foli me tone alarmante për rastin duke deklaruar se sipas saj shteti ligjor në vend ka rënë. Kryeministri dënoi ngjarjen dhe partia socialiste paralajmëroi përjshtimin e deputetit nga radhët e saj.

Arrestohet deputeti i PS, Armando Prenga
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:15 0:00

Zanafilla e përplasjes së mbrëmshme në të cilën u përfshi deputeti socialist Armando Prenga duket se i ka rrënjët në një konflikt më të hershëm, që lidhet me dhënien në administrim muaj më parë të lagunës së Patokut, vëllait të deputetit. Deri në atë kohë kjo lagunë administrohej nga një grup peshkatarësh të zonës, mes të cilëve dhe familja Çali, me pjestarët e së cilës ndodhi dhe përplasja e rëndë. Ata kishin denoncuar parregullsi në tenderin e zhvilluar nga ministria e Bujqësisë e në atë kohë dhe opozita foli për një favorizim të hapur ndaj vëllait të deputetit.

Edhe ngjarja e mbrëmshme ka nisur po në Patok, ndërsa më pas, sic shpjegon policia, ka shpërthyer përpara komisariatit ndërkohë që një shtetas, Gjok Çali po bënte kallzim se ishte goditur nga deputeti Prenga. Në konfliktin mes palëve janë përdorur thikat, sendet e forta por dhe armët. Të paktën 7 persona mbetën të plagosur, nga të cilët dy me armë zjarri, që të dy të familjes Çali. Ata u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë, ku forca të shumta policia mbajtën në mbikqyrje zonën.

Policia njoftoi se ka arrestuar 6 persona, me të cilëve dhe deputetin Prenga: “Arresti në flagrancë i deputetit Prenga u krye me akuzat “Plagosje e rëndë, me dashje”, “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje serioze për vrasje”. Nga tërësia e veprimeve të para hetimore, për të njëjtat akuza u bë arrestimi edhe i shtetasve Anton Leka dhe Gazmir Jushi. Në pranga janë vënë gjithashtu shtetasit Gjokë Çali, Gjergj Çali, dhe Nikoll Çali, për veprën penale të “Mbajtjes pa leje të armëve të ftohta” dhe “Plagosje të rëndë me dashje”, deklaroi shefi I komisariatit të Kurbinit Nik Nikolla.

Për ngjarjen reagoi ashpër opozita përmes kryetarit të saj Lulzim Basha: “Për 8 orë me rradhë, me urdhër të Edi Rames dhe Sajmir Tahirit policia vendosi një shtetrrethim te vërtetë në vendngjarje dhe tek spitali për të fshehur ngjarjen, për të mos dhënë informacion, për të manipuluar provat, për të mbrojtur agresorin, të përzgjedhurin e Edi Ramës në Laç. Ky, është fundi i shtetit ligjor në vend, dhe pavarësisht se armët i shkrehu një bandit deputet, autori i kësaj gjendje të rëndë është Edi Rama”.

Sipas zotit Basha deputeti Prenga është personi që ka qëlluar me armë dhe se ngjarja ka ndodhur në brendësi të komisariatit, por policia dha një version të kundërt duke shpjeguar se ngjarja ka ndodhur para mjedisve të komisariatit dhe se për momentin nuk është e konfirmuar se Prenga ka qëlluar me armë, duke saktësuar se është në pritje të përgjigjeve të analizave balistike.

Lidhur më ngjarjen, kryeministri Edi Rama reagoi përmes Facebook-ut, duke shkruar se “askush nuk është mbi ligjin, aq më pak deputeti. Ngjarja kërkon ndëshkim të plotë ligjor. Koha e të paprekshmëve ka ikur bashkë me Saliun” shkruan zoti Rama, ndërsa më pas nga selia e partisë socialiste deputetja Olta Xhacka paralajmëroi përjashtimin e Prengës nga radhët e kësaj partie: “Partia Socialiste e dënon me ashpërsinë më të madhe si plotësisht të papajtueshme me kulturën e saj të ligjit dhe me normat e veta të bashkëjetesës, përfshirjen e Armando Prengës në këtë ngjarje. Si shkelës i këtyre normave Armando Prenga ka humbur çdo të drejtë morale të jetë pjesë e Partisë Socialiste, ndërsa si i dyshuar nga Policia e Shtetit për shkeljen e ligjit ai duhet të japë llogari përpara drejtësisë për çdo akuzë që rëndon mbi të:.

Deputeti Prenga ka qenë dhe më parë protagonist i përlasjeve me dhunë në parlament në të paktën dy raste me deputetë të opozitës. Kjo e fundit e ka akzuar atë si një person me të kaluar kriminale në Itali, akuza të hedhura poshtë prej tij.

Për mbajtjen në arrest të deputetit pritet që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë autorizimin e Parlamentit, dhe ky I fundit të veprojë brenda 48 orëve.

XS
SM
MD
LG