Lidhje

“PO” prokurorisë për arrestimin e Prengës

  • Armand Mero

Këshilli i Imuniteteteve i parlamentit miratoi kërkesën e Prokurorit të Përgjithshëm për deputetin socialist. Nesër pritet votimi në seancë

Këshilli I Mandateve dhe Imuniteteve i parlamentit u mblodh në mbrëmje me kërkesë të kryetarit të parlamentit Ilir Meta, disa orë pasi Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi kërkesën për autorizim për arrestimin e deputetit socialist Armando Prenga i cili akuzohet se u përfshi dje në një konflikt të rëndë me 7 të plagosur, mes tyre dhe dy me armë zjarri. Prenga u arrestua në flagrancë, por për ta mbajtur atë në gjendje arresti, për shkak të imunitetit parlamentar, është i nevojshëm autorizimi i parlamentit. Këshilli vendosi mbrëmë në unanimitet në favor të kërkesës së Prokurorisë, por fjalën e fundit pritet ta thotë seanca parlamentare e cila është thirrur për nesër pasdite.

Sipas Prokurorisë së Përgjithshme, deputeti Prenga dyshohet “për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”, duke qenë se, sipas saj, përvec armës me leje që ai zotëron në cilësinë e deputetit ka patur dhe një pistoletë tjetër me të cilën ka goditur njërin prej personave të përfshirë në konflikt si dhe ka kërcënuar disa të tjerë.

Ashtu sic kishte bërë më parë përmes avokatit të tij, edhe në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku u paraqit I shoqëruar me forca të shumta policie, deputeti Prenga hodhi sot poshtë akuzat, duke deklaruar se ai është kërcënuar fillimisht nga një pjestar i familjes Cali, më të cilën prej kohësh ekziston një konflikt lidhur me marrjen e të drejtës së administrimit të lagunës së Patokut nga vëllai i deputetit. Prenga gjithashtu mohon të ketë qenë I pranishëm gjatë konfliktit të dhunshëm e aq më tepër të ketë përdorur armën gjatë përplasjeve ku mbeti i plagosur rëndë dhe vëllai i tij.

Për ngjarjen, që të shtunën partia socialiste reagoi duke paralajmëruar përjashtimin e Prengës nga radhët e saj, ndërsa sot kryeministri Edi Rama përshëndeti kërkesën e prokurorisë duke nënvizuar sërish se për këdo që shkel ligjin do të ketë tolerancë Zero.

Nga ana tjetër, pati një reagim të ashpër të opozitës, e cila të shtunën në mbrëmje, mblodhi me urgjencë strukturat e saj drejtuese për të përcaktuar edhe qëndrimin e vet politik. “Përfaqësuesi i popullit goditi me armë zjarri popullin. Ky është fryt i drejtpërdrejtë i kriminalizimit të pushtetit. Eshtë dëshmi e qartë e fryteve që sjell inkrimiminimi i politikës nga Edi Rama, veshja me pushtet e kriminelëve, sjellja e tyre në Parlament dhe veshja dhe armatosja e pushtetit me krim”, deklaroi zoti Basha ndërsa shpjegoi se opozita do të mbajë qëndrime të qarta edhe lidhur me akuzat dhe dyshimet e publikuara së fundi në media ndaj kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, për përfshirjen e tij në një aferë korruptive, apo lidhur edhe me akuzat e ish shefit të Antidrogës së Fierit, Dritan Zagani, për lidhje të drejtuesve të policisë dhe ministrisë së Brendshme me grupe trafikantësh, duke përmendur madje dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.

Transmetimi i intervistës së tij u ndërpre papritur, ndërsa autori i saj gazetari Basir Collaku foli për presione të qeverisë që e kishin bllokuar publikimin deri në fund të saj. Ministri Tahiri reagoi të dielën përmes një postimi të gjatë në Facebook ku shkruan së ndjen “neveri që një ish-oficer policie, në kërkim për dekonspirim të operacioneve të Policisë së Shtetit kunder drogës, në arrati për të mos u përballur me drejtësinë dhe në pritje që të marrë azil në një nga vendet e BE-së, i cili jep intervista si i përndjekur nga shteti dhe simulon censurime të tyre për të forcuar pozitën e tij si pretendent për azil politik shpallet si hero nga opozita”, e cila sipas tij do të duhej t’i bënte thirrje ish zyrtarit të policisë që akuzat e tij ndaj të gjithëve, përfshirë dhe ministrin, t’i bënte ligjërisht përpara organeve të Drejtësisë.

Por opozita ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga kërkesa për dorëheqjen jo vetëm të kryetarit të parlamentit Ilir Meta por dhe të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG