Lidhje

Pres. Obama dhe ligjvënësit ende pa marrëveshje për rritjen e kufirit të huamarrjes


Pres. Obama dhe ligjvënësit ende pa marrëveshje për rritjen e kufirit të huamarrjes
Pres. Obama dhe ligjvënësit ende pa marrëveshje për rritjen e kufirit të huamarrjes

Presidenti u takua me udhëheqësit demokratë dhe republikanë të dy dhomave të Kongresit amerikan të martën për të tretën herë radhazi. Gjatë orëve të pasditjes së djeshme, një prej tetë pjesmarrësve, udhëheqësi i pakicës në Senat Mitch McConnell, mbajti një fjalim rreth negociatave.

Duke thënë se ai kishte ngritur pikpyetje rreth mundësisë së zgjidhjes së problemeve fiskale me zotin Obama si president, zoti McConnell ofroi këtë vlerësim mbi situatën e negociatave.

“Sipas pikpamjeve të mia, presidenti ka ofruar tre zgjedhje...tym dhe pasqyra, rritje taksash ose falimentim. Republikanët nuk zgjedhin asnjë nga më sipër. Pata shpresuar për të bërë mirë por refuzoj të bëj dëm.”

Zoti McConnell tha se republikanët do të bëjnë “veprime të përgjegjshme” dhe sigurojnë se qeveria federale nuk falimenton në detyrimet e borxheve. Më pas, ai foli për atë që e quajti “zgjidhja e fundit” çfarë do të kërkonte miratimin e një legjislacioni nga Kongresi që autorizon Presidentin Obama të kërkojë zyrtarisht rritjen e tavanit të huave për vitin 2012, por që i kërkon atij të paraqesë një listë me shkurtime specifike të shpenzimeve.

Departamenti i Thesarit ka caktuar 2 gushtin si afat të fundit kur Kongresi duhet të veprojë për të rritur kufizimet e borxheve federale. Çdo kompromis duhet të arrihet para kësaj date që më pas të mundësojë hapat e nevojshëm për të zbatuar legjislacionin.

Zëdhënësi i Shtepisë së Bardhë Jay Carney tha se zoti Obama do të vazhdojë të punojë deri në fund për arritjen e marrëveshjes e cila deri tani përfshin propozime për shkurtime deri në 4 trilion dollarë dhe burime të ardhurash.

Zoti Carney tha se toni i diskutimeve nuk ka qënë i kundërshtueshëm, por “konstruktiv dhe i respektueshëm”, duke shtuar se një kompromis nuk do të arrihet nëse palët dëgjojnë anëtarët më ideologë.

“Ne nuk mund të kalojmë nga njëri cak tek tjetri nëse dëgjojmë vetëm thirrjet e mbështetsve tanë më ideologë. Ne duhet ta pranojmë se pozitat tona maksimaliste nuk do të fitojnë.”

Më herët gjatë ditës së martë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner tha se krahu i tij republikan por pret për një plan specifik nga zoti Obama.

“Ku është plani i presidentit? Kur do të hedhë kartat e tij në tavolinë? Kjo rritje e tavanit të borxheve është problem i tij. Është koha për të që të udhëheqë duke vënë në tryezë planin e tij, diçka që Kongresi mund të miratojë.”

Presidenti Obama ka thënë se do të thërrasë çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë udhëheqësit e Kongresit amerikan deri sa të arrihet një marrëveshje për borxhet dhe defiçitin.

Ndërkohë, presidenti përsëri përdori median për t’i kërkuar Kongresit arritjen e një kompromisi. Në një intervistë me kanalin televiziv CBS News, zoti Obama paralajmëroi se dështimi për të rritur kufirin e borxhit kombëtar prej 14.3 trilion dollarësh deri me 2 gusht, mund të bëjë që miliona amerikanë të mos marrin pensionet dhe pagesa të tjera, duke thënë se qeveria nuk do të ketë fonde të mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG