Lidhje

Pres. Obama dhe republikanët paraqesin argumentet për borxhin para publikut

  • Ken Klein

Pres. Obama dhe republikanët paraqesin argumentet për borxhin para publikut

Pres. Obama dhe republikanët paraqesin argumentet për borxhin para publikut

Presidenti Barak Obama dhe ligjvënësit republikanë po dalin para publikut me argumentet e tyre në mosmarrëveshjen për ngritjen kufirit të borxhit të qeverisë amerikane. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Kent Klain nga Shtëpia e Bardhë, afati po afrohet kur kufiri i borxhit ose duhet të ngrihet ose Shtetet e Bashkuara do të lejohen të mos arrijnë t’i paguajnë detyrimet e tyre.

2 gushti është afati për rritjen e kufirit të borxhit prej 14,3 trilion dollarësh, dhe presidenti Obama dhe republikanët e opozitës ende duken larg një marrëveshjeje.

Gjatë fjalimit të tij të përjavshëm në radio dhe internet dje, presidenti tha se ai është gati të bëjë zgjedhje të padëshiruara për ta zgjidhur problemin, dhe i kërkoi kongresit të bënte të njëjtën gjë.

"Disa nga anëtarët e partisë sime nuk janë dakort me këto gjëra dhe unë nuk do t’i kisha pranuar këto shkurtime po të ishim në një situatë më të mirë fiskale. Por nuk jemi. Prandaj jam gati për kompromis. Jam gati të bëj atë që duhet për të zgjidhur problemin dhe pres që kongresi të bëjë të njëjtën gjë."

Zoti Obama tha se do të konsideronte shkurtime në programe sociale si pensione dhe kujdesin shëndetësor për të moshuarit. Por shumë prej demokratëve e kundërshtojnë këtë ide.

Nga ana tjetër, presidenti kërkon taksa më të larta për amerikanët e pasur dhe korporatat e mëdha, gjë që republikanët e kundërshtojnë.

"Ne nuk mund ta vëmë barrën e reduktimit të deficitit vetëm tek të moshuarit, klasa e mesme dhe studentët. Edhe korporatat dhe amerikanët e pasur duhet të sakrifikojnë."

Në fjalimin e përjavshëm të republikanëve, senatori Orin Heç nga shteti Juta fajësoi demokratët për krizën e borxhit dhe tha se presidenti duhet të dalë me një plan serioz për ta zgjidhur atë.

"Presidenti Obama dhe demokratët e tij në kongres refuzojnë të bëjnë një plan për shpenzimet tona jashtë kontrollit që e kanë futur vendin në një borxh prej 14 trilion dollarësh. Ai refuzon të reformojë programet sociale, ndërsa kërkon rritjen e taksave që shkurtojnë vende pune."

Republikanët në dhomën e përfaqësuesve janë gati të votojnë për rritjen e kufirit të borxhit deri në vitin 2012 nëse kongresi miraton një amendament kushtetues për buxhet të balancuar.

Një amendament i tillë nuk ka të ngjarë të miratohet në senatin e kontrolluar nga demokratët. Por senatori Heç thotë se kjo është e vetmja zgjidhje afatgjatë për shpenzimet e tepërta qeveritare.

Presidenti tha të premten se shkurtimet pa rritjen e të ardhurave do të ndërprisnin programe të rëndësishme qeveritare.

Ndërkohë, agjencitë e vlerësimit të huamarrjes në Shtetet e Bashkuara dhe Kina paralajmëruan se vlerësimi për Shtetet e Bashkuara do të ulej nëse nuk do të ketë një marrëveshje së shpejti. Kina është zotëruesja më e madhe e borxhit të qeverisë amerikane.

XS
SM
MD
LG