Lidhje

Pres. Obama u telefonon astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës


Pres. Obama u telefonon astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës
Pres. Obama u telefonon astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës

Presidenti Barak Obama u telefonoi astronautëve në bordin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës një javë pasi anija e hapësirës Atlantis u nis drejt laboratorit orbital për misionin e fundit të epokës së këtyre lloj anijesh. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Suzan Presto njofton nga Uashingtoni.

Presidenti Barak Obama bëri shaka me astronautët në bordin e stacionit ndërkombëtar dje.

"Kjo është për të qeshur, sepse unë sapo telefonoja për të porositur pica."

Zoti Obama i tha ekuipazhit se ai e kishte parë nisjen e anijes Atlantis në televizor në Zyrën e tij. Ai tha se ishte krenar për punën e tyre dhe të ardhmen e agjencisë amerikane të hapësirës.

"Megjithëse ky mision shënon fluturimin e fundit të programit të anijes së hapësirës, ai shënon edhe fillimin e një epoke të re për arritje të reja në eksplorimin e hapësirës dhe fluturimeve të njeriut në hapësirë."

Presidenti përsëriti idetë kryesore të politikës për hapësirën që u bë e njohur vitin e kaluar, sipas së cilës NASA do të ndërtonte anije hapësire që do të shkonin përtej orbitës së Tokës deri tek asteroidet dhe deri në planetin Mars.

"...kjo nuk është gjë e vogël, por mendoj se ne do t’ia dalim."

Politika e presidentit Obama për hapësirën ishte një ndryshim nga paraardhësi i tij, presidenti Xhorxh W. Bush, i cili vendosi rikthimin në hënë si një hap drejt rrugës për të arritur në planetin Mars. Gjatë administratës së presidentit Bush, NASA krijoi programin Konstelejshën duke pasur parasysh synimin e presidentit. Ky program u anulua gjatë administratës së presidentit Obama pasi më shumë se 10 miliard dollarë ishin harxhuar në të.
Duke folur me gazetarët nga bordi i stacionit hapësinor dje, astronauti Kris Ferguson, komandant i ekuipazhit të anijes Atlantis, pranoi se ishte i pakënaqur me ndryshimet e herëpashershme të politikës amerikane për hapësirën.

"Kemi pasur shumë programe të mira dhe interesance që kanë filluar tek NASA pa u përfunduar kurrë. Dhe arsyeja ka qenë kryesisht për shkak të politikës dhe fondeve."

Komandanti Ferguson tha se do të preferonte që ligjvënësit amerikanë të përqendroheshin në strategji afatgjata.

"Shikoni horizontin. Mos shikoni vetëm një apo dy vjet prej tani, por 10 vjet më vonë ku duam te jemi. Unë e kuptoj që presidenti ka politikën e tij të hapësirës, por ne na duhet vazhdimësi dhe një politikë domethënëse që do të na çojë jo një apo dy vjet në të ardhmen, por 10 apo 15 vjet."

Ligjvënësit po presin raportin e NASA-s që do të japë hollësi mbi planet e agjencisë së hapësirës për një sistem që do të mund të shkojë përtej orbitës së Tokës.

Programi amerikan i anijeve të hapësirës, i cili ka kushtuar më shumë se 113 miliard dollarë, do të përfundojë kur anija Atlantis të kthehet në tokë javën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG