Lidhje

Shqiptarët e Preshevës, kërkesë Serbisë


Përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, thanë se i kanë kërkuar zëvendëskryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, që shqiptarëve në atë zonë të gëzojnë të drejta të njëjta sikurse serbët e Kosovës.

Ata thanë se këtë kërkesë e kanë shtruar në takimin e parë që zhvilluan në Beograd me zëvendëskryeministrin serb, i cili i ka siguruar ata se do të vizitojë Luginën për të parë nga afër shqetësimet e shqiptarëve të atjeshëm.

Ata thanë se është kërkuar që zona të ketë universitet si dhe qasje e pjesëmarrje më të madhe në qeveri dhe në institucionet e Serbisë. Po ashtu, u tha se është kërkuar nga qeveria serbe që të mos provokohen me çështjen e lapidarëve, të legalizohen simbolet kombëtare, të bëhet demilitarizimi i Luginës dhe kërkesa të ngjashme që do të mundësonin përmirësimin e situatës në atë pjesë.

Në fillim të muajit të kaluar, parlamenti i Kosovës miratoi një rezolutë në mbështetje të të drejtave elementare të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Në tekstin e rezolutës, kërkohet shtimi i kujdesit shtetëror të Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe të drejta të njëjta që gëzojnë serbët në veri të Kosovës për shqiptarët në atë zonë.

Në Rezolutë kërkohet edhe lirimi i të burgosurve politik që mbahen nëpër burgjet e Serbisë, që Kosova të kujdeset për të zhvendosurit nga Lugina e Preshevës, të mundësohet shkollimi dhe mirëqenia për ta, si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan që do të përkujdeseshin për këtë qëllim. Rezoluta kërkon edhe lehtësime në kalimin e kufirit Serbi Kosovës për shqiptarët e atjeshëm.

Udhëheqësit politik të zonës thonë se situata në Luginë vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG