Lidhje

Të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës


Kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit synojnë të vazhdojnë ndërgjegjësimin e komunitetit ndërkombëtar për atë që ata e quajnë shkelje e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Zotërinjtë Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi ishin këto ditë në Uashington për takime me zyrtarë amerikanë lidhur me situatën në rajon pas vendimit për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:57 0:00

Kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa thotë se krijimi i asociacionit të komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë erdhi nga vullneti i popullit, si baraspeshë ndaj asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë që në bazë të marrëveshjes së fundit mes Kosovës dhe Serbisë gëzojnë një formë më të gjerë autonomie:

"Ndërkohë shqiptarët në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë edhe pse janë autoktonë kanë një mori problemesh që kanë ngjelur akoma pa u zgjidhur. Sidomos në momentin kur Serbia është duke negociuar me Bashkimin Evropian që të jetë pjesë e bashkësisë evropiane dhe duke shkelur mbi të drejtat e shqiptarëve në masë të konsiderueshme, atëherë ne konsiderojmë se do te mobilizohemi të tërheqim vëmendjen e Brukselit zyrtar, dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikes sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës duan zgjidhje të këtij problemi."

Por edhe pse ky vendim nuk është përqafuar zyrtarisht nga asnjëri faktor në bisedimet që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi pret që ai të ketë ndikim mes palëve:

"Besoj se është një vendim i cili ndoshta për momentin nuk ka efekte juridike por ka efekte politike pasi për vendimin e këshilltarëve shqiptarë bisedohet edhe në Bruksel dhe në Prishtinë edhe në Tiranë, bisedohet edhe në Beograd dhe kësaj radhe do të kemi mundësi të bisedojmë me përfaqesues të Departamentit të Shtetit dhe kongresmen dhe senatorë dhe besoj se do të kemi rezultate në këtë drejtim."

"Është e paimagjinueshme dhe e papranueshme përfundimisht që në dy shtete fqinje siç janë Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë të ekzistojnë standarte të ndryshme ose të dyfishta të realizimit të të drejtave të pakicave kombetare" , - thotë zoti Ragmi Mustafa.

Por larg synimeve politike për më shumë të drejta për shqiptarët, gjendja ekonomike në këtë rajon është shqetësuese me një nivel të lartë papunësie dhe pa perspektivë zhvillimi. Megjithëse qeveritë e Kosovës dhe Serbisë investuan së fundmi një fond prej 100 mijë eurosh në fushën e shëndetësisë kryetari i komunës së Bujanocit thotë se ndihma nuk ka qënë e mjaftueshme.

"Shqipëria dhe Kosova nuk janë duke bërë atë që mund të bëjnë përsa i përket ndihmës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Them vetëm një fakt - qeveria e Serbisë për serbët e Kosovës në vit ndan 42 milion euro për funksionimin e organeve dhe ndihmën të cilën i jep serbëve si në infrastrukturë, shëndetësi , arsim kulturë e kështu me radhë. Ne nuk e kemi atë ndihmë. Ne e kuptojmë dertet dhe hallet e Kosoves po ashtu edhe të Shqiperisë por ndihma për fat të keq nuk është duke ardhur ashtu siç duhet, " - thotë zoti Arifi.

"Gjithmonë Serbia krijon situata pasigurie në shkallë të caktuar në mënyrë që shqiptarët të largohen nga shtëpitë e tyre", - thotë zoti Mustafa.

Megjithë vështirësitë ekonomike, këto komuna me shumicë shqiptare po u bëjnë një pritje të mirë imigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme që synojnë të kalojnë më pas në vendet e Bashkimit Evropian.

"Pritja më e mirë e mundshme që po u bëhet refugjatëve", - thotë zoti Mustafa." Shqiptarët e kanë përjetuar atë tragjedi. Ne e dimë çfarë do të thotë refugjatë. Shqiptaret janë duke u treguar shumë humanë ndaj refugjatëve. Gjithë ajo që bëhet për refugjatët bëhet nga shqiptarët e komunës se Bujanovcit dhe Preshevës. Kemi përshëndetur marrëveshjen e arritur mes dy qeverive me ndërmjetësinë e Brukselit. Qendrueshmëria politike do të sillte edhe zhvillimin ekonomik. Por sipas kryetarit të Bujanocit, ky proces nuk po ecën si duhet."

Dy kryetarët e komunave e shohin me pesimizëm angazhimin e strukturave shtetërore të Serbisë për zhvillimin ekonomik të rajonit. Ata thonë se qeveria serbe nuk ka vullnetin e mirë ndërsa ajo e Kosovës për fat të keq nuk ka hapësirë për të kërkuar më shumë nga Beogradi për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në rajon.

"Për momentin qeveria e Serbisë nuk ka vullnet dhe qeveria e Kosovës per fat të keq ka problemet e veta. Shpresojme dhe jemi shumë optimist se një ditë Kosova do të futet në Nato, do te jete anetare e Bashkimit Evropian dhe nje Shqiperi e forte dhe nje Kosovë e fortë do te ndikojë edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik të Luginës së Preshevës dhe pse jo edhe në stabilitetin politik," - thotë zoti Arifi.

XS
SM
MD
LG