Lidhje

Në kampin për pranimin e refugjatëve në Preshevë


Refugjatët nga Lindja e Mesme, të cilët nga Turqia, Greqia dhe Maqedonia, po kalojnë në Serbi për të vazhduar rrugën drejt Hungarisë, për një jetë më të mirë dhe të sigurt në vendet e Bashkimit Evropian, thonë se në përgjithësi nuk po trajtohen keq nga policitë dhe autoritetet e këtyre vendeve.

Gjendja e refugjatëve në Preshevë
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:36 0:00

Ndërkaq, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) paralajmëron se brenda ditëve që vijnë do të shtohet numri i imigrantëve të cilët kalojnë nëpër këtë rrugë. Në Preshevë, autoritetet serbe kanë ngritur një kamp për pranimin e refugjatëve.

Mijëra refugjatë nga Lindja e Mesme të cilët e bëjnë rrugën ballkanike drejt vendeve të Evropës, të rraskapitur nga rruga e gjatë, shpresojnë se do ta arrijnë synimin e tyre.

Nga Maqedonia, ata zbresin në kufirin me Serbinë, afër fshatit Miratoc, ku autoritetet serbe kanë ngritur një kamp për pranimin e tyre. Megjithatë, ata ecin në këmbë pesë-gjashtë kilometra për të marrë autobusin që i shpie në Preshevë.

Në kolonat e refugjatëve, kryesisht sirianë, ka të rinj, fëmijë dhe më rrallë të moshuar. Pasi të arrijnë në Preshevë, regjistrohen në zyrat e improvizuara të autoriteteve serbe për Imigracionin. Gazetarët mund të hyjnë aty, sikundër dhe në kampin në Miratoc, vetëm me leje të posaçme.

Refugjatët nuk kanë shumë dëshirë të fotografohen dhe më rrallë të flasin në kamera. Kanë frikë për familjet e mbetura në vendet e origjinës.

Një refugjat, i cili të marten ka arritur në kufirin e Serbisë, thotë se askush nuk u kishte dhënë ushqim as pije. Ndërkohë, ata tash trajtohen më mirë nga autoritetet dhe policia maqedonase, siç pohojnë.

Shumë prej tyre dëshirojnë të shkojnë në Gjermani, por nuk përjashtojnë edhe vendet tjera, sidomos ato të Skandinavisë. Ka që kanë udhëtuar për dy javë, të tjerë edhe më tepër.

Hasani nga Siria udhëton bashkë me një mik. Familja i ka ngelur në Siri.

“Dua të shkoj në Gjermani për të ardhmen e sigurtë të fëmijëve të mi”, thotë ai.

Ky refugjat nga Mazar i Sharif në Afganistan thotë se ka dy muaj që është larguar nga vendlindja. Thotë se ka përjetuar situata mjaft të vështira rrugës. Është përballur me hajdutë, me kërcënime, nënçmime. “Por duhet ta vazhdosh rrugën për të arritur në cakun tënd”, thotë ai.

Refugjati afgan thotë se në Gjermani ku synon të shkojë, populli është i mirë dhe i ndjeshëm me refugjatët.

Tania është nga Damasku. Thotë se po shkon në një shtet të Evropës për të kërkuar paqe dhe qetësi për vajzat e saj, por se Sirinë nuk e harron dot dhe një ditë do të kthehet atje. Ajo ka lënë familjen në Damask dhe po udhëton me miq. Shpreson që së shpejti t’i vijë dhe familja, katër vajzat dhe burri.

“Të integrohemi në shoqërinë gjermane, të mësojnë gjuhën dhe të gjejmë punë”.

Ajo si të gjithë të tjerët shpreson ta kalojë kufirin e Hungarisë.

Ky refugjat nga Iraku thotë se ka kaluar mjaft vështirë nëpër Greqi, ku ushtria dhe policia, si] thotë, i ka rrahur. Ai thotë se ka qenë përkthyes për ushtrinë amerikane në Irak dhe se është kërcënuar nga ISISi dhe nga milicia irakiane.

Ndërsa ky refugjat nga qyteti Homs thotë se dëshiron të shkojë në një vend të sigurt, mbase në Gjermani, apo Norvegji. Thotë se është inxhinier ndërsa gruaja e tij mjeke dhe do të dëshironin të gjejnë punë në profesionin e tyre.

Gjendja duket se po ndikon në qytetin e vogël të banuar me shqiptarë.

Kryetari komunës së Preshevës Ragmi Mustafa thotë se Presheva është duke u ballafaquar në dy tre vitet e fundit me refugjatët nga Lindja e Mesme, por së fundmi vala e tyre është shumë e madhe dhe se kjo ndikon edhe në jetën shoqërore dhe ekonomike të komunës, si më e pazhvilluara në Serbi.

”Megjithatë, shqiptarët e komunës së Preshevës me që kanë përjetuar një eksod të tillë qysh në vitin 1999, padyshim se me një dashamirësi të madhe i shikojnë refugjatët e ikur nga konfliktet e armatosura. Në këtë drejtim, kanë ofruar për gjithë këtë kohë ndihmat maksimale në ujë të pijshëm, ushqime, veshmbathje dhe strehim brenda qytetit. Në bashkësinë e parë lokale, nga Llojani në Miratoc, në orët e natës, jashta syrit të kamerave, xhandarmëria serbe ka sjellur situata konfikti me refugjatët duke ushtruar dhunë ndaj tyre dhe duke i lokalizuar në oborret e shqiptarëve, duke iu shkaktuar në këtë mënyrë shqetësime të mëdha familjarëve”, thotë z.Mustafa.

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR vlerëson se mijëra refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme ia kanë mësyer Evropës. Policia e Maqedonisë pas një bllokade njëditëshe nuk arriti të mbajë më gjatë refugjatët në kufirin me Greqinë fqinje, pasi ata shpërthyen kordonin. Mijëra refugjatë me trena dhe autobusë u drejtuan për në Serbi.

UNHCR pret që brenda pak ditësh, 3 mijë njerëz në ditë të kalojnë nga Greqia në Maqedoni. Agjensia thekson nevojën për një trajtim human të refugjatëve.

Zyrtarët e UNHCR-së kanë vërejtur se ngritja e gardheve dhe gazi lotsjellës si dhe format e tjera të dhunës kundër imigrantëve nuk do t’i ndalojë ata nga synimet për të ardhur në Evropë. Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migrimin ka njoftuar se nga mbi 250 mijë imigrantët që kanë kaluar përmes detit në Evropë këtë vit, rreth 2400 kanë humbur jetën gjatë rrugës.

XS
SM
MD
LG