Lidhje

Berisha: Do rishikojmë marrëdhëniet me Serbinë


Ndërhyrja e djeshme e forcave të xhandarmërisë serbe në Preshevë për heqjen e pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ka rritur tensionin mes TIranës dhe Beogradit. Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sot se “marrëdhëniet me Serbinë do të rishikohen”. Po sot u njoftua anullimi i një vizite zyrtare në Beograd të ministrit shqiptar të Shëndetësisë Vangjel Tavo, e parashikuar për në muajin mars.

Kryeministri Berisha tha se “dje në luginën e Preshevës, para qytetarëve dhe kamerave u shpalos dhe një herë me egërsi të vërtetë racizmi, urrejtja dhe frika ndaj shqiptarëve prej autoriteteve të Beogradit”. Ai premtoi se Shqipëria do të bëjë c’është e mundur për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe se do ta ngrejë këtë cështje edhe pranë organizmave ndërkombëtare. Nga ana tjetër kryeministri ju drejtua me një thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të mos përdoren dy standarte, një për serbët e Mitrovicës së Veriut dhe një standart për shqiptarët e Preshëves, që janë sot zona më e varfër në Europë. Serbia – shtoi ai - nuk mund të kërkojë asnjë të drejtë më shumë sec përcaktojnë të drejtat europiane, dhe ato duhen zbatuar si për serbët e Mitrovicës dhe shqiptarët e Preshevës”. Zoti Berisha ju rikthye edhe një herë idesë së bashkimit të kombit shqiptar “si e vetmja rrugë që shqiptarët të mbrojnë të drejtat e fituara me gjak”.

Kryeministri shqiptar dënoi edhe incidentet në Kosovë, ku disa varre ortodokse u dëmtuan mbrëmë, ndërsa në Gjakovë u tentua të sulmohej një kishë orotodoske. “Qeveria e Kosovës të marrë të gjitha masat. Eshtë gabim fatal të imitosh falangat e terrorit të Beogradit”, deklaroi kryeministri.
XS
SM
MD
LG