Lidhje

Presidenca e Harry Trumanit dhe politika e tij e brendshme


Presidenca e Harry Trumanit dhe politika e tij e brendshme

Presidenca e Harry Trumanit dhe politika e tij e brendshme

Lufta e Dytë Botërore përfundoi me dorëzimin e Japonisë më 19 gusht të vitit 1945. Amerikanët prisnin nga presidenti i tyre i ri, Harry Truman, që t’i udhëhiqte ata në një kohë të re paqeje. Zoti Truman ishte nënpresident deri sa Presidenti Franklin Roosevelt vdiq papritmas në muajt e fundit të luftës. Gati askush nuk priste që Presidenti Truman të ishte një udhëheqës i fuqishëm siç kishte qënë presidenti Roosevelt. Dhe fillimisht, amerikanët ishin korrekt. Truman përjetoi probleme të njëpasnjëshme gjatë muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë. Në një seri me dy pjesë, sot dhe nesër, do t’ju njohim me problemet, që përjetoi administrata Truman, dhe cilët qenë faktorët, që kthyen rrjedhën e ngjarrjve, dhe bënë që presidenti i 33-të i Shteteve të Bashkuara të fitonte mandatin e dytë në një prej periudhave më të vështira në historinë amerikane.

Problemi i tij i parë i madh ishte ekonomia. Gati 2 milion amerikanë humbën punën pasi fabrikat i dhanë fund prodhimit të artikujve të luftës. Amerikanët kudo shqetësoheshin për të ardhmen. Vetëm pak vite më parë, vendi kishte përjetuar krizën më të rëndë ekonomike në historinë e tij. Askush nuk donte kthimin në atë gjendje, me banka të mbyllura, fëmijë të urritur dhe kujtime të trishtueshme të depresionit të madh.

Deri diku, ekonomia e pas luftës ishte në gjendje më të mirë se sa kishin parashikuar shumë ekspertë. Shumë amerikanë kishin para nga kursimet e tyre gjatë luftës, madje Kongresi miratoi një ligj, që synonte të ndihmonte njerzit të mbanin punën që kishin. Gjendja mund të kishte qënë edhe më keq se sa faktikisht. Por ekonomia mund të kishte qënë edhe shumë më mirë. Thuajse menjëherë, çmimet e çdo artikulli filluan të ngrihen.

Presidenti Truman u përpoq të ndalonte këto ngritje çmimesh nëpërmjet një agjencie të posaçme për kontrollin e çmimeve, që ishte krijuar gjatë luftës, por mijëra afaristë refuzuan të zbatonin rregullat qeveritare për kontrollin e çmimeve, përkundrazi ata vendosën çmimet e tyre për artikuj të ndryshëm.

Pronarët e dyqaneve u thoshin zyrtarëve qeveritarë se po zbatonin kontrollet e çmimeve, por shpesh ata i vinin vetë çmimet e artikujve që shisnin. Dhe bizneset nuk ishin të vetmet që nuk pranonin të respektonin kontrollin e çmimeve. Këtë e bënë edhe sindikatat e organizuara të punëtorëve.

Presidenti Truman kishte qënë gjithnjë mik i sindikatave, por gjatë muajve të parë të administratës së tij, ai u përfshi në një betejë të ashpër me minatorët e qymyrgurit dhe punonjësit e hekurrudhave.

Shenja e parë e problemeve doli në pah në shtator të vitit 1945. Një grup punëtorësh të industrisë së automobilëve mbyllën një fabrikë në kompaninë Ford Motor. Më pas, punëtorët e firmës General Motors u hodhën në grevë. Së shpejti vendi u përfshi nga grevat në çdo sektor, si industria e naftës, e veshmbathjeve e elektricitetit dhe industri të tjera.

Grevat e zemëruan presidentin Truman. Ai mendonte se punëtorët grevistë po kërcënon ekonominë dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Ai u zemërua edhe më shumë kur përfaqësues të sindikatave erdhën në Shtëpinë e Bardhë dhe refuzuan të pranojnë një ofertë kompromisi për pagat.

Zoti Truman urdhëroi ushtrinë që të merte nën kontroll hekurrudhat dhe minierat e qymyrgurit. Brënda një kohe të shkurtër, minatorët e qymyrgurit u kthyen në punë, por presidenti pati më pak sukses me punonjësit e hekurrudhave. Ai u zemërua aq shumë me përfaqësuesit e sindikatave, sa që i kërkoi Kongresit ta autorizonte atë që të rekrutonte të gjithë grevistët e sektorit të hekurrudhave në forcat e armatosura të vendit.

Greva e punëtorëve të hekurrudhave më në fund përfundoi, por miliona amerikanë humbën besimin tek aftësia e presidentit Truman për të udhëhequr vendin dhe për të bashkuar popullin amerikan.

Nga fundi i vitit 1946, shumica e amerikanëve besonin se personi në Shtëpinë e Bardhë nuk dinte se ç’bënte, ndërkohë që Trumani dukej i dobët dhe i paaftë të kontrollonte rrjedhën e ngjarrjeve.

Anëtarët e sindikatave nuk e mbështesnin presidentin për shkak të kundërshtimit të tij ndaj grevave në industrinë e qymyrgurit dhe të hedhurrudhave. Fermerët e kundërshtuan zotin Truman për shkak të përpjekjeve të administratës për t’i mbajtur të ulëta çmimet e mishit. Konservatorët nuk u besonin reformave që zoti Truman premtoi në fjalimet e tij. Madje demokratët liberalë ishin të shqetësuar, ndërsa shumë prej këshilltarëve me përvojë të Franklin Rooseveltit largoheshin nga qeveria sepse nuk mund të punonin me presidentin Truman.

Në nëntor të vitit 1946, njerzit votuan për Kongresin dhe legjislaturat shtetrore. Rezultati tregoi se ata nuk ishin të kënaqur me Trumanin dhe Partinë e tij Demokrate. Republikanët morën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit për herë të parë pas 18 vjetësh. 25 shtete zgjodhën republikanë në postin e guvernatorit.

Këto zgjedhje ishin një humbje serioze për demokratët – por një katastrofë për presidentin Truman. Edhe disa anëtarë të partisë së tij bënë thirrje për dorëheqjen e tij. Pak njerëz shpresonin se zoti Truman do të fitonte zgjedhjet presidenciale të vitit 1948. Por me zgjuarsi dhe me pak fat, Harry Truman, arriti t’i kthente në avantazhin e tij zhvillimet.

Pas një fillimi të vështirë dhe jo popullor të administratës së tij, Harry Trumani filloi të ndryshonte në muajt pas zgjedhjeve për në Kongres të 1946-tës. Ai filloi të fliste hapur dhe fuqishëm. Ai filloi të tregonte se i kuptonte kompetencat e presidencës. Dhe për sa i përket politikës së jashtme, ai filloi të vepronte më shumë si president. Dhe kjo ishte mëse e vërtetë në reagimin e Trumanit ndaj agresionit sovjetik në Gjermani.

Trumani donte të rindërtonte Gjermaninë si dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore të shkatërruara nga lufta. Administrata e tij punoi nga afër me udhëheqësit e vendeve të Evropës Perëndimore për të shpëtuar ekonomitë e tyre nëpërmjet Planit Marshall.

Por sovjetikët nuk donin të shikonin rindërtimin e Gjermanisë, të paktën jo kaq shpejt. Së pari, ata e përmbytën Gjermaninë me një sasi të madhe monedhe gjermane në përpjekje për të shkatërruar vlerën e saj. Ata u larguan nga konferenca ekonomike dhe më në fund, në fillim të vitit 1948, sovjetikët bllokuan të gjitha rrugët që të çonin në Berlinin Perëndimor. Berlini Perëndimor ishte pjesë e territorit të Gjermanisë Lindore komuniste, por jo nën kontrollin e komunistëve, siç ishte Berlini Lindor.

Pas luftës, vendet aleate e kishin ndarë Gjermaninë për gjysëm. Gjermania Perëndimore kishte një qeveri demokratike. Gjermania Lindore ishte komuniste, nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik.

Veprimet e sovjetikëve në Berlin ishin një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit. Trumani kishte 3 zgjedhje të vështira. Nëse nuk do të bënte asgjë, bota do ta shikonte Amerikën si të dobët dhe të paaftë për të ndalur agresionin sovjetik. Nëse do ta luftonte bllokadën me forcë, ai mund të fillonte një luftë të tretë botërore. Por ai kishte edhe një zgjedhje tjetër.

Aleatët propozuan idenë e furnizimit të Berlinit Perëndimor nga ajri me mijëra tonelata ushqime, karburant dhe furnizime të tjera, jo vetëm një herë, por çdo ditë, për sa kohë që sovjetikët vazhduan bllokadën e qytetit.

Ky ishte një operacion i vështirë. Berlini Perëndimor kishte një popullsi prej 2,5 milion banorësh. Asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një operacion i tillë për furnizmin nga ajri të një qyteti kaq të madh. Aeroplanët duhet të niseshin çdo 3 minuta e gjysëm, ditë e natë, për të furnizuar banorët e Berlinit Perëndimor me sasi të mjaftueshme ushqimesh, ilaçesh, veshmbathjesh dhe qymyrgyri shumë të nevojshëm.

Në këtë operacion u angazhuan aeroplanë amerikanë C-47 dhe aerplanë transporti më të mëdhenj C-54, bashkë me aeroplanë britanikë Lancaster, York, dhe Hastings.

Më 26 qershor, aeroplani i parë C-47 u ul në aeroportin Tempelhof, duke shënuar fillimin e një operacioni të madh. Sipas planeve, ky operacion do të zgjaste vetëm disa javë.

Aeroplanët u ulën në qytetin e bllokuar dhe vullnetarët lokalë siguruan mbështetje në teren. Ish mekanikë të forcës ajrore gjermane, Luftwaffe, u bashkuan me amerikanët për të mirëmbajtur aeroplanët. Më shumë se 20 mijë berlinezë punuan ditë e natë për të ndërtuar një aerodrom shtesë për uljen e aeroplanëve amerikanë dhe britanikë, duke u bërë aeroporti Tegel, ende më i madhi i Berlinit.

Pilotët e këtij operacioni hidhnin nga aeroplanët e tyre ushqime të ndryshme, përfshirë edhe çokollata dhe çumçakiz për fëmijët, edhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët. Amerikanët në Shtetet e Bashkuara shtuan prodhimin për të përmbushur kërkesat e fëmijëve të Berlinit Perëndimor.

Nuk kaloi shumë kohë dhe për sovjetikët u bë e qartë se furnizimi i Berlinit Perëndimor kishte qënë i sukseshëm. Në maj të vitit 1949, gati një vit pas fillimit të bllokadës, aleatët i dhanë fund asaj.

Kriza në Berlin ndryshoi mënyrën se si shumë amerikanë e shikonin presidentin e tyre. Harry Truman nuk dukej më i dobët dhe i pasigurtë, përkundrazi ai po vepronte si një udhëheqës, që mund të merrte pjesë aktive në çështjet botërore.

Popullariteti i Trumanit u rrit, megjithatë shumica e amerikanëve nuk prisnin që ai të fitonte zgjedhjet e vitit 1948. Thuajse të gjithë mendonin se kandidati republikan, guvernatori i New Yorkut Thomas Dewey, do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Fushata elektorale e atij viti u shoqërua me të papritura dhe lajme të kënaqshme, veçanërisht në politikën e jashtme, dhe përfundoi me rizgjedhjet e Harry Trumanit edhe për 4 vjet të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG