Lidhje

Presidentët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi zhvillojnë takimin e tretë rajonal në Ohër


Presidentët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi zhvillojnë takimin e tretë rajonal në Ohër
Presidentët e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi zhvillojnë takimin e tretë rajonal në Ohër

Sot në Ohër të Maqedonisë mblidhen presidentët e katër vendeve të rajonit për takimin e tretë rajonal që ka për synim zhvillimin e dialogut në nivel më të lartë në kuadër të perspektivës së përbashkët euroatlantike. Presidentët e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë do të diskutojnë mbi veprimet e përbashkëta lidhur me çështje që kanë të bëjnë me integrimet në Bashkimin Evropian dhe në Nato, ndërsa drejtuesit e vendeve të Ballkanit perëndimor shpresojnë që në këtë mënyrë proceset të jenë më të lehta.

Temë e diskutimeve do të jenë edhe ngritja e shkallës së bashkëpunimit ekonomik dhe nxitja e investimeve të huaja, lidhjet infrastrukturore dhe eneregjetike, bashkëpunimi ndërkufitar në luftën kundër kriminalitetit, forcimi i proceseve demokratike dhe reformuese, etj.

Presidentët Atifete Jahjaga, Bamir Topi, Filip Vujanoviq dhe Gjorgje Ivanov do të mbajnë takime biletarale, ndërkohë që pas një seance plenare pritet t’i drejtohen Brukselit dhe qendrave evropiane me ndikim, me një mesazh të përbashkët ku do të theksojnë vlerat evropiane dhe vizionet identike që Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi i ndajnë mbi të ardhmen.

Nga kabineti i presidentit maqedonas Ivanov thonë se ai do të nënvizojë se bashkëpunimi intensiv, sidomos rajonal, mund të çojë drejt realizimit të këtyre synimeve strategjike dhe se katër vendet dinë të sillen në mënyrë evropiane, duke pasur parasysh, nga ana tjetër, problemet më të cilat përballet Bashkimi Evropian për sa i përket zgjerimit. Maqedonia konsideron se Brukseli duhet të bëjë vlerësim të drejtë për arritjet individuale të secilit vend veç e veç.

Takimet e këtilla janë mbajtur deri tash në Vlorë dhe në Prizren. Presidenti i Serbisë Boris Tadiç nuk merr pjesë në takim për shkak të pranisë së presidentes së Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG