Lidhje

Jahjaga: Gratë, një shtyllë e fortë e shoqërisë

  • Festim Gashi

Gratë në Kosovë kanë qenë një shtyllë e fortë në çdo fazë nëpër të cilën ka kaluar vendi, tha presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga. Në një diskutim mbi rolin e grave në procesin e paqes të zhvilluar në Universitetin Georgetown në Uashington, Presidentja Jahjaga foli edhe për problemin e nivelit të ulët të përfaqësimit të grave në institucionet vendim-marrëse në Kosovë. Përfaqësimi i grave në poste vendimarrëse në Kosovë është i ulët sidomos në pushtetin lokal ku deri më tani Kosova ka patur vetëm një kryebashkiake, Mimoza Lila-Kusarin nga Gjakova. Në këtë diskutim mori pjesë edhe ish Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright e cila theksoi rolin e rëndësishëm të grave në ripajtimin dhe tejkalimin e urrejtjes themelore mes grupeve të ndryshme etnike.

Gratë në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishën në të gjitha periudhat nëpër të cilat ka kaluar vendi, tha presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Në një diskutim dje në Universitetin Georgetown mbi rolin e grave në ndërtimin e paqes dhe pjesëmarrjen e tyre politikë, presidentja Jahjaga tha se gratë në Kosovë, kanë ndjerë më shumë vështirësitë dhe vuajtjet nga lufta dhe gjendja e rëndë ekonomike në vend.

“Gratë në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Ato kanë qenë një shtyllë e fortë e shoqërisë sonë në çdo fazë në të cilën ka kaluar vendi, në luftë, në paqe dhe në procesin e shtet-formues. Nëpër të gjitha këto faza që ka kaluar vendi, ato janë ndikuar jo vetëm emocionalisht duke parë vrasjen e burrave të tyre në kohën e luftës, vështirësitë e fëmijëve të tyre, diskriminimin, por edhe gjendjen e rëndë ekonomike, pamundësinë për të ushqyer fëmijët e tyre”.

Presidentja Jahjaga tha se gjatë luftës, gratë e Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh humanitar duke ndihmuar me ushqime dhe ilaçe banorët e rajoneve të vendit të prekura nga lufta.

Ndërsa ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright tha se gjatë vizitave që ajo ka bërë në Kosovë ajo ka parë se si gratë e Kosovës duan të jenë agjente të ndryshimit e jo të vikimizimit. Ato duan ta lënë pas të kaluarën dhe të përqëndrohen në të ardhmen.

“Një nga elementët më të vështirë në konfliktet në mbarë botën është kujtimi i historisë, asaj që ka ndodhur në shekullin e 14-të. Kjo nuk është e dobishme. Njerëzit duhet t’i drejtojnë sytë nga e ardhmja. Dhe gratë janë ato që mund të tejkalojnë këtë urrejtje themelore mes grupeve të ndryshme etnike. Unë mendoj se roli i grave në procesin e ripajtimit është shumë i rëndësishëm”.

Ndërsa presidentja Jahjaga tha se edhe gjatë periudhës së paqes, gratë e Kosovës kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Ato janë të përfaqësuara në institucionet e vendit dhe po japin kontributin e tyre në procesin e shtet-ndërtimit, tha ajo.

Në lidhje me nivelin e përfaqësimit të grave në institucionet publike, presidentja Jahjaga tha se ligji që përcakton kuotat e përfaqësimit të grave është i rëndësishëm. Ajo kundërshtoi idenë për heqjen e këtij ligji, pasi sipas saj, një veprim i tillë do të ulte numrin e grave të përfaqësuara në institucionet e vendit.

“Vitin e kaluar kemi patur një debat me Bashkimin Evropian për çështjen e kuotave pas një nisme nga Brukseli për heqjen e tyre me justifikimin se ato nuk janë në përputhje me ligjet për të drejtat e njeriut. Argumenti im kundër kësaj nisme ishte, si do të justofikohej kjo me respektimin e të drejtave të njeriut nëse pas heqjes së kuatave do të kemi më pak se një përqind të grave të përfaqësuara në institucionet e vendit në vend të 30 përqind që kemi tani?”

Në lidhje me rritjen e përfaqësimit të grave në institucione, ish Sekretarja Albright tha se përfaqësimi më i madh i grave në institucionet publike sjellë qëndrueshmëri më të madhe ekonomike dhe politike.

“Mendoj se ne e dimë se është thelbësore kur gratë janë të angazhuara në pozita negocimi, sepse ato kanë aftësinë të punojnë mes tyre për ripajtimin e grupeve në konflikt. Kur gratë janë të angazhuara në ekonomi dhe në politikë, ne e dimë se shoqëritë janë më të qëndrueshme”.

Presidentja Jahjaga dhe ish Sekretarja Albright gjatë diskutimit në Universitetin Georgetown në Uashington thanë se duhet bërë më shumë për rritjen e nivelit të përfaqësimit të grave në postet vendim-marrëse.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG