Lidhje

Presidenti Nishani ktheu aktin normativ për nëpunësit civil


Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i kërkoi sot parlamentit të rishqyrtojë aktin normativ, që shtyu gjashtë muaj hyrjen në fuqi të ligjit për nëpunësin civil. Pak ditë pasi parlamenti miratoi aktin normativ me votat e shumicës, presidenti Nishani e ktheu atë për rishqyrtim nga deputetët sepse, sipas tij, ligji ndryshohet vetëm përmes një ligji tjetër, dhe jo me akt normativ. “Një akt normativ nuk mund të ndryshojë një ligj të miratuar me shumicë të cilësuar votash dhe me konsensus të gjerë parlamentar” - pohoi zoti Nishani.

Presidenti Nishani argumentoi se aktet normative me fuqinë e ligjit caktojnë masa të përkohshme me urgjencë, ndërsa ligji për nëpunësit civilë nuk është i tillë. Sipas tij, një akt normativ nga qeveria kthehet në veprim antikushtetues kur nuk merret me urgjencë, si i përkohshëm dhe për një masë të nevojshme, për të cilin duhet pyetur edhe presidenti. Zoti Nishani deklaroi se qeveria duhet të nxjerrë aktet nënligjore dhe jo të vinte në pikëpyetje me akt normativ ligjin konsensual. Për më tepër, ligjin për statusin e funksionarëve publikë, Kushtetuta e përfshin në grupin e ligjeve që duhen miratuar me një shumicë të cilësuar prej tre të pestave të të gjithë deputetëve.

Me kthimin për rishqyrtim të aktit normativ presidenti Bujar Nishani shprehu në detaje qëndrimin e tij për këtë cështje të diskutuar gjatë në qarqet politike. Qeveria e ndërmori këtë hap me argumentin se ligji ishte i pazbatueshëm, ndërsa opozita deklaroi se kjo masë u mor për të shkarkime politike në administratë. Megjithatë, shumica socialiste i ka votat e mjaftueshme për ta rivotuar aktin normativ në sallën e parlamentit.

XS
SM
MD
LG