Lidhje

Presidenti Nishani thirrje për pjesmarrje në votim

  • Armand Mero

Mesazh i kreut të Shtetit drejtuar qytetarëve për zgjedhjet e së dielës; policia e angazhuar për të siguruar një proces të qetë.

Në Shqipëri presidenti Bujar Nishani bëri thirrje sot për një pjesmarrje të gjerë në zgjedhjet e ditës së nesërme duke theksuar se “të mos votosh është pasivitet i pafalshëm”. Në një mesazh drejtuar shqiptarëve, kreu i shtetit vuri në dukje faktin se votimi për parti të ndryshme nuk duhet t’i ndaj shqiptarët. Për ditën e votimit janë angazhuar forca të shumta policia. 6200 punonjës të policisë do të jenë që sot të gatshëm prandë qendrave të votimit në mbrëmje kur nis shpërndarja e materialeve.



Përvecse përballjes së fort mes dy kampeve kryesore për qeverinë e ardhshme të vendit, mënyra se si do të zhvillohet procesi në vetvete, do të jetë me rëndësi përcaktuese për të ardhmen e vendit, vecanërisht në raport me përparimin e tij drejt Bashkimit europian. Këtë moment theksoi në mesazhin e tij edhe Presidenti Bujar Nishani, ndërsa foli për rëndësinë e një pjesmarrje sa më të gjerë: “Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh Lirinë, për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen. Të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë”.

Në Shqipëri zgjedhjet shoqërohen me një situatë të ndezur e të tensionuar mes forcave politike. Presidenti Bujar Nishani i mëshoi idesë se përkatësitë politike nuk duhet të ndajnë shqiptarët: “Të votojmë me bindjen se të tjerët që votojnë parti të ndryshme, votojnë ndryshe sepse mendojnë në mënyra të ndryshme, por së brendshmi jemi të gjithë të njëjtë dhe dallimi se për cilën parti apo individ votojmë, nuk është dallim që na ndan, por dallim që na bashkon. Të kuptojmë si duhet gjënë kryesore; Se partitë dhe ideologjitë për të cilat votojmë janë disa, por Shqipëria dhe e ardhmja e saj janë një”.

Votimi pritet të hapet nesër në orën 7 të mengjesit. Në të gjithë vendin janë 5508 qendra votimi pranë të cilave janë angazhuar forcat e policisë që do të nisin detyrën që sot pasdite. “Për ditën e sotme janë planifikuar për tu përfshirë në shërbim për mbulimin e KZQV-ve dhe Qendrave të Votimit 6.200 punonjës policie. Marrja në dorëzim e objekteve zgjedhore nga shërbimet e policisë parashikohet të fillojë rreth orës 18.00’ të ditës së sotme, me mbërritjen e materialeve zgjedhore pranë këtyre objekteve”, shpjegoi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj. Ai shtoi se policia ka identifikuar zonat që mund të konsiderohen të nxehta dhe është e gatshme të ndërhyjë me shpejtësi: “Kemi vënë në dispozicion edhe helikopterë të polkicisë së ushtrisë, në gatishmëri për të vepruar në cdo rast, po kështu edhe forcat e tjera të gatshme për të reaguar”.

Fushata zgjedhore u mbyll mbrëmë pas një muaji intensive takimesh politike. Duket se kjo është fushata më e shtrenjtë e organizuar ndonjëherë, ndonëse në një situatë ekonomike jo të favorshme. Sipas të dhënave nga një vëzhgim i Lëvizjes MJAFT, janë të paktën afër 6.8 milion dollarë të shpenzuara për spote televizive dhe materiale të tjera zgjedhore, gati 10-fishi i shumës së financimit që partitë kanë marrë nga buxheti i shtetit. Vetëm për reklamat televizive janë harxhuar afër 4 milion dollarë nga të cilat gjysma vetëm prej dy partive më të mëdha, demokratëve dhe socialistëve. Janë këto dy parti që kanë bërë edhe shpenzimet më të mëdha për materiale zgjedhore për zyra, flamuj, postera e reklama nëpër rrugët dhe lagjet e qyteteve. Ndërsa për zgjedhjet e vitit 2011, sipas të dhënave zyrtare, u shpenzuan në total jo më shumë se 3.6 milion dollarë.
XS
SM
MD
LG