Lidhje

Presidenti i ri, pa kandidatë edhe raundi i dytë


Pas takimit Berisha Rama nuk paraqitet asnjë emër në garë. PD dhe PS nuk bien dakort për datën e raundit të tretë

Në Shqipëri edhe raundi i dytë i votimit për presidentin e ardhshëm u mbyll pa një garë, në mungesë të kandidatëve. Seanca zgjati vetëm pak caste, aq sa kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli, të njoftonte se duke qenë se nuk ka kandidatura atëherë votimi quhet i realizuar.



Ky zhvillim ishte i pritshëm pas takimit të mbrëmshëm mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit socialist Edi Rama i cili përfundoi pa asnjë rezultat konkret. Palët mbrëmë i qëndruan pozicioneve të tyre. Shumica i përmbahet kandidaturës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori, ndërsa socialistët kërkojnë hapjen e një procesi dialogu mes palëve që të cojë sipas tyre në një emër me mbështetjen si të qeverisë ashtu dhe të opozitës.

Deri më tani nuk ka një njoftim për një takim të dytë të mundshëm mes zotit Berisha dhe zotit Rama, ndërsa në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare përfaqësuesi demokrat dhe ai socialist nuk kanë rënë dakort mbi datën e raundit të tretë i cili duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve të ardhshme.

Kryetari i grupit socialist Gramoz Ruci ka këmbëngulur në shfrytëzimin e afatit maksimal duke kërkuar që raundi i tretë të zhvillohet të hënën e ardhshme, ndërsa homologu i tij demokrat Astrit Patozi ka kërkuar të caktohet si datë e premtja e ardhshme 8 qershor.

Në pamundësi të një konsensusi do të jetë seanca e ditës së enjte ajo që do të vendosë se kur do të mbahet raundi i tretë i cili është dhe i fundit mes raundeve ku kërkohet një shumicë e cilësuar. Në votimin e katërt dhe të pestë, presidenti i ri mund të zgjidhet edhe me një shumicë të thjeshtë prej 70+1 votë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG