Lidhje

Kandidati për president takon kryetarin e PS


Në Shqipëri kandidati i propozar nga shumica e djathtë për postin e presidnetit të ri të vendit, anëtari i Gjykatës Kushtetues Xhezair Zaganjori zhvilloi sot një takim me kryetarin e partisë socialiste Edi Rama. Zoti Zaganjori shpjegoi se qëllimi i takimit të kërkuar prej tij ishte që t’i bënte të njohur opozitës arsyet e kandidimit të tij. Socialistët e refuzun kandidaturën e tij duke akuzuar shumicën për veprime të njëanshme. Edhe pas takimit me zotin Zaganjori partia socialiste konfirmoi se nuk do të mbështesë asnjë kandidaturë që nuk do të ishte produkt i një dialogu mes qeverisë dhe opozitës

Dy ditë pasi parlamenti konsumoi pa rezultat seancën e parë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, e vetmja lëvizje publike është ajo e sotmja e anëtarit të gjykatës kushtetuese Xhezair Zaganjori, emri i të cilit ju propozua opozitës nga e djathta në pushtet. Zoti Zaganjori i kërkoi takim kryetarit socialist Edi Rama, pasi kandidatura e tij ishte refuzuar nga opozita, sipas së cilës propozimi kishte ardhur pas veprimeve të njënashme të shumicës.

Takimi i zotit Zaganjori me kryetarin socialist zgjati afër 60 minuta. Para se të linte selinë e partisë socialiste ishte ai vetë që shpjegoi motivet e bisedës: “Kemi patur një njohje më njëri tjetrin nga larg. U prezantuam më nga afër. Eshtë hera e parë që rrimë e diskutojmë me njëri tjetrin. Unë i përshkrova arsyet arsyet që ma kanë shtyrë të marr vendimin për të pranuar kandidimin, që nuk e kam pasur të lehtë dhe kaq. Mendova që është në të mirën e debatit dhe procesit që po zhvillohet”.



Zoti Zaganjori tha se nuk kishte kërkuar nga zoti Rama të dinte qëndrimin e tij. Pak më vonë pas takimit ky qëndrim do të bëhej i njohur nga partia socialiste, sipas së cilës, kjo forcë i përmbahet idesë se “drejt emrit të Presidentit të ri të Republikës duhet të shkohet përmes një procesi dialogu konkret mes qeverisë e opozitës dhe konsultimesh intensive mes palëve parlamentare dhe jo anasjelltas”. Në deklaratë saktësohet se për këtë arsye “Partia Socialiste nuk do ta mbështesë në asnjë rast një kandidaturë të paraqitur pa proces dhe në rrugë krejt të njëanshme nga qeveria. Dhe se kjo ishte e vlefshme si në rastin e zotit Zaganjori, qoftë për çdo kandidaturë që do të paraqitej apo paraqitet nga qeveria në mungesë të dialogut konkret dhe konsultimeve të domosdoshme për gjetjen e një kandidati apo kandidateje të dakordësuar mes qeverisë e opozitës”.

Më tej socialistët kanë ripërsëritur nevojën e një tryeze të nivelit më të lartë mes palëve për t’i dhënë sipas tyre një shans real raundit të dytë dhe vetë Shqipërisë, e duke bërë thirrje se “kohë për të humbur si deri më sot nuk ka dhe konsultimet duhet të nisin menjëherë”. Socialistët të cilët në takimin e parë me demokratët kërkuan shqyrtimin edhe të reformës zgjedhore, asaj parlamentare dhe cështjen e imuniteteve, ritheksuan sot” zgjidhja pozitive e zgjedhjes së presidentit do të krijonte hapësirat e nevojshme kohore për të ecur shpejt drejt zgjidhjes konsensuale të tre pikave të tjera”, gjë e cila theksojnë ata do të shtronte rrugën për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Publikisht nuk ka asnjë hap konkret për një afrim mes palëve përpara raundit të dytë të parashikuar për të hënën e ardhshme. Deklarata e djeshme e kryetarit të Lëvizjes socialiste për integrim Ilir Meta, për nevojën e një takimi mes kryeministrit Sali Berisha dhe kreut socialist Rama ka nxitur zërat për mundësinë e uljes së tyre në një tryezë. Ndërkohë kanalet ndërmjetësuese mes palëve nuk kanë munguar, duke testuar në distancë njëra tjetrën rreth emrave të tjerë kandidatësh potencial.
XS
SM
MD
LG