Lidhje

Presidenti Barak Obama shpjegon objektivat e ndërhyrjes në Libi

  • Dan Robinson

Presidenti Barak Obama shpjegon objektivat e ndërhyrjes në Libi

Presidenti Barak Obama shpjegon objektivat e ndërhyrjes në Libi

Presidenti amerikan Barak Obama zgjodhi Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në kryeqytetin amerikan Uashington për një fjalim të rëndësishëm drejtuar vendit mbi vendimin që mori për Libinë, përparimet e bëra deri tani dhe për atë që e cilësoi si rëndësinë e përdorimit të fuqisë ushtarake amerikane dhe një udhëheqje më të gjerë. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët ndërhynë për të ndaluar shtypjen brutale dhe masakrimin e civilëve nga forcat besnike të Moamar Gadafit si dhe rrezikun e një krize humanitare.

“Ne ishim të ballafaquar me mundësinë e dhunës të një shkalle të llahtarshme. Ne patëm një mundësi unike për të ndaluar dhunën: një mandat ndërkombëtar për të vepruar, një koalicion të gjerë për të bashkëvepruar, mbështetjen e vendeve arabe dhe lutjen për ndihmë nga vetë populli i Libisë. Po ashtu ne patëm aftësitë të ndalojmë sulmet e forcave të Gadafit pa dërguar trupa tokësore amerikane.”

Për një muaj, tha zoti Obama, Shtetet e Bashkuara punuan me partnerët ndërkombëtar për të mobilizuar një koalicion të gjerë, siguruar një mandat ndërkombëtar për të mbrojtur civilët dhe krijuar zonën e ndalim-fluturimit. Ai tha se e mbajti premtimin e tij për të mbajtur të kufizuar rolin amerikan dhe për mosdërgimin e trupave tokësore amerikane.

Presidenti Obama nuk foli drejtpërdrejt mbi kritikat e ligjvënësve amerikanë për masën e konsultimit me ta mbi operacionin në Libi. Ai foli rreth një debati në Uashington, për të cilin tha se përfshin një zgjedhje të gabuar kur flitet për Libinë.

“Disa pyesin se pse Amerika duhet të ndërhyjë, madje edhe pse në kushte të kufizuara, në këtë vend të largët. Ata argumentojnë se ka shumë vende në botë ku popullsia civile përballet me dhunë brutale nga qeveria e tyre dhe se nuk duhet të paramendohet se Amerika duhet të vërë rregullin në botë – kryesisht kur kemi shqetësime të mëdha brenda vendit. Është e vertetë, Amerika nuk mund të përdorë ushtrinë e saj sa herë që ka shtypje në botë. Duke patur parasyshë koston dhe rreziqet e ndërhyrjes, ne gjithmonë duhet të masim interesin tonë përballë nevojës për të ndërhyrë. Por ky nuk mund të jetë një argument që të mos veprojmë asnjëherë në interes të asaj që është e drejtë.”

Më herët, senatori republikan Miç Mekonell tha se presidenti kishte artikuluar një objektiv të gjerë për ndryshimin e regjimit në Libi, i cili nuk krahasohet me objektivin e cituar të ndërhyrjes ushtarake, dhe shtroi këtë pyetje:

“Cili është roli i ushtrisë amerikane dhe aleancës ushtarake në ofrimin e mbështjes për një opozitë të cilën sapo kemi filluar ta kuptojmë?”

Në fjalimin e tij, Presidenti Obama tha se pavarësisht se Libia dhe bota do të jenë më mirë pa Moamar Gadafin në pushtet, ai përjashton ndryshimin e regjimit në Libi përmes rrugës ushtarake.

“Nëse do të mundoheshim të rrëzonim me forcë Gadhafin, koalicioni ynë do të përçahej. Ne do të na duhej të dërgonim trupa tokësore apo të rrezikonim të vrisnim shumë civilë në sulme ajrore. Rreziqet me të cilat do të përballeshin amerikanët në uniformë do të ishin shumë më të mëdha. Po ashtu do ishte edhe kostoja, pjesa e përgjegjësive tona për atë që vjen më pas.”

Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara e kanë provuar këtë në Irak që ka kushtuar mijëra jetë amerikanësh dhe jetë irakianësh dhe afro 1 trilion dollarë duke shtuar se është diçka që nuk mund të përballohet të përsëritet në Libi.

Zoti Obama foli ndërkohë që NATO përgatitet të marrë zyrtarisht komandën e operacioneve në Libi dhe ndërkohë që përfshirja amerikane zvogëlohet. Fjalimi i presidentit po ashtu erdhi në prag të takimit që mbahet sot në Londër mes Shteteve të Bashkuara, anëtarëve të NATO-s, Lidhjes Arabe dhe përfaqësuesve të opozitës libiane.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Presidenti Obama kishte folur më herët me presidentin francez Nikola Sarkozi, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe kryeministrin britanik Dejvid Kameron. Presidenti Obama e përdori fjalimin e tij për të shpjeguar pse ai vendosi që ndërhyrjen në Libi ishte e rëndësishme në sfondin e valës së ndryshimeve në Afrikën Veriore dhe Lindjen e Mesme.

“Impulset demokratike që po lindin përgjatë rajonit do të eklipsoheshin nga forma më e errët e diktaturës ndërkohë që udhëheqësit shtypës do të nxirrnin përfundimin se dhuna është strategjia më e mirë për të mbajtur pushtetin. Rezoluta e Kombeve të Bashkuara do të ishte dukur më pak se fjalë boshe, duke dëmtuar besimin për të ruajtur paqen globale dhe sigurinë. Ndërkohë që asnjëherë nuk do të zvogëlojë koston nga veprimet ushtarake, kam bindjen se dështimi për të mos vepruar në Libi do t’i kishte kushtuar më shumë Amerikës.”

Senatori republikan Xhon Mekejn reagoi nga Kongresi amerikan duke thënë se presidenti shpjegoi në rrugë kompetente arsyet për të ndërhyrë në Libi. Por zoti Mekejn vuri në pikëpyetje citimet e presidentit për ndryshimin e regjimit. Ligjvënësi demokrat Steni Hojer tha se është e nevojshme që Presidenti Obama të vazhdojë të informojë dhe konsultohet me Kongresin për aq kohë sa trupat amerikane mbeten pjesë e misionit në Libi.

XS
SM
MD
LG