Lidhje

Presidenti Barak Obama fillon një turne në tre shtete


Presidenti Barak Obama fillon një turne në tre shtete
Presidenti Barak Obama fillon një turne në tre shtete

Presidenti Barak Obama filloi një turne me autobuz në tre shtete që synon t’u përgjigjet kritikave se ai nuk ka bërë sa duhet për të përmirësuar ekonominë e vendit.

Gjatë ndalesave në mbarë vendin, zoti Obama ka thënë shpesh se ndërkohë që amerikanët votuan për një qeveri të ndarë në Washington, ata nuk votuan për një qeveri që sduhet të bëjë asgjë.

Ai po e thekson këtë tematikë në këtë udhëtim, duke kërkuar mbështetje për zgjidhje të balancuara lidhur me vështirësitë fiskale të vendit dhe duke bërë kontraste mes qendrimit të tij dhe të republikanëve, kryesisht qendrimit të pjesës konservatore në lëvizjen Tea Party në negociatat e fundit për huatë dhe defiçitin.

Në ndalesën e parë në Cannon Falls të shtetit Minnesota, vend i cili u vizitua për herë të fundit nga një president në vitin 1928, zoti Obama përsëriti kritikat e tij ndaj lojës politike në Washington.

“Ne kemi një politikë të tillë në Kongres, jo njerëzit që janë këtu, por disa në Kongres që më parë do të shikonin kundërshtarët të humbisnin sesa Amerikën të fitonte. Si përfundim, krijuam më shumë paqartësi dhe më shumë dëme ndaj një ekonomie që ishte e dobët.”

Presidenti u përball me pyetje kryesisht miqësore nga një turmë mbështetësish prej afro 500 pjesmarrësish. Zoti Obama përsëriti kritikën ndaj qendrimit republikan në negociatat për borxhet. Ai theksoi qendrimin e tij se programe si Sigurimet Sociale, Medicare dhe Medicaid kanë nevojë të forcohen, por jo të ndryshohen në mënyrë radikale dhe u bëri thirrje të pranishmëve që të ushtrojnë trysni ndaj Kongresit.

“Ju duhet të dërgoni një mesazh në Washington se është koha që të ndalojnë lojrat, është koha për të vënë vendin në plan të parë.”

Shtepia e Bardhë tha se nuk ka lidhje direkte mes udhëtimit të presidentit dhe votimit-provë në Aiova, një votim preferencash i fituar nga kongresistja e Minesotës dhe ligjëvënësja e Tea Party, Michelle Bachman.

Por zoti Obama ka nevojë të shtojë mbështetjen në shtetet e qendrës perëndimore amerikane të rendësishme në shpresat për rizgjedhje ndërkohë që kandidatët republikanë për president shtojnë sulmet e tyre për mënyrën e trajtimit të ekonomisë nga presidenti aktual.

Kandidati kryesor republikan, ish guvernatori i Massachusetts Mitt Romney publikoi një video politike që tregon banorët e Minnesotës, përfshi Joseph Bromley, duke krituar presidentinn mbi gjendjen ekonomike.

“Në zgjedhjet e kaluara unë votova për Barak Obamën dhe tani ndihem se nuk munda ta bëj këtë.”

Duke bërë fushatë në shtetin verilindor New Hampshire, zoti Romney vazhdoi të kritikojë politikat ekonomike të presidentit.

“25 milion amerikan të papunë apo rroga tejet të ulëta, vlerat e shtepive që ende bien, tre vjet nga mandati katër vjeçar i presidentit, çmimet e shtepive vazhdojnë të bien, numër rekord i falimentimit të pronarëve të shtepive.”

Papunësia mbetet mbi 9 përqind. Duke theksuar shqetësimet e amerikanëve rreth ekonomisë, një anketë e Gallup Poll tregon se miratimi i punës së presidentit ka rënë në 39 përqind, një rekord i ri i ulët për të, megjithëse edhe presidentë të tjerë kanë patur shifra të tilla në mandatin e parë. Presidenti Obama do të zhvillojë një takim tjetër me popullin në qytetin Decorah të shtetit Aiova.

XS
SM
MD
LG