Lidhje

Presidenti Obama, të hënën turne në Evropë

  • Zëri Amerikës

Presidenti Obama, të hënën turne në Evropë

Presidenti Obama, të hënën turne në Evropë

Presidenti Barak Obama niset të hënën për një turne gjashtë-ditor në katër vende të Evropës që pritet të përqendrohet tek përmirësimi i ekonomisë globale, siguria rajonale dhe marrëdhëniet mes vendeve evropiane.

Zoti Obama do të shkojë së pari në Irlandë, ku ekonomia është përfshirë nga kriza e borxheve. Në Irlandë, ai do të vizitojë një fshat të vogël ku kanë jetuar disa nga paraardhësit e tij. Gati 37 milion amerikanë pretendojnë se e kanë prejardhjen nga Irlanda dhe zoti Obama thotë se dy vendet ndajnë miqësi të thellë.

Presidenti do të kalojë pastaj dy ditë në Londër për të rishqyrtuar të ashtëquajturën “lidhje të veçantë” mes dy vendeve. Ai dhe zonja e parë Mishel Obama do të qëndrojnë në pallatin Bakingam, ku mbretëresha Elizabet do të shtrojë një darkë për nderin e tyre. Zoti Obama do të takohet me kryeministrin Dejvid Kamerun për bisedime mbi ekonominë, sigurinë dhe çështje të tjera. Presidenti do të mbajë edhe një fjalim para dy dhomave të parlamentit.

Zoti Obama do të shkojë më pas në Francë, ku do të marrë pjesë në takimin vjetor ekonomik të Grupit të 8 vendeve më të industrializuara të botës në qytetin turistik të Dovijës. Ai pritet të bëjë thirrje për politika më të ashpra fiskale ndaj vendeve me probleme borxhesh si Greqia, Portugalia dhe Irlanda.

Vizita e fundit e presidentit do të jetë në Poloni, ku pritet të nënshkruajë një marrëveshje për stacionimin e aeroplanëve luftarakë amerikanë F16 në territorin polak, propozim ky që ka zemëruar Rusinë.

XS
SM
MD
LG