Lidhje

Presidenti, shumica rikonfirmon zotin Zaganjori


Kryeministri Berisha dhe kryetari i LSI, Ilir Meta takojnë drejtorin e Zgjerimit Stefano Sannino: “Zaganjori plotëson kriteret për president”

Në Shqipëri parlamenti vendosi që raundi i tretë i votimit për presidentin të zhvillohet nesër. Opozita kishte kërkuar që seanca të mbahej dy ditë më vonë, të dielën. Shumica nga ana e saj rikonfirmoi sot sërish mbështetjen e saj për kandidaturën e anëtarit të Gjykatës kushtetuese Xhezair Zaganjori. Në takimet me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin europian Stefano Sannino si kryeministri Sali Berisha ashtu dhe kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim, Ilir Meta, janë shprehur se zoti Zaganjori plotëson kriteret e një kandidati konsensual
Me voten e demokrateve nuk u pranua kerkesa e socialistëve që votimi në raundin e tretë të zhvillohej të dielën. Në fakt që prej së hënës, kur u dogj dhe raundi i dytë, nuk ka patur, të paktën publikisht, asnjë tentativë për bisedime të reja mes palëve. Socialistët kanë këmbëngulur për një proces që të conte drejt një emri me mbështetjen e të gjitha palëve, ndërsa shumica mendon se kandidatura e saj, anëtari i gjykatës kushtetuese Zaganjori e plotëson këtë kriter. Këtë qëndrim kryeminisri Sali Berisha e ka përsëritur sot edhe në takimin me Drejtorin e përgjithshëm për Zgjerimn në Komisionin europian Stefano Sannino, i cili ndodhet në Tiranë për të diskutuar pikërisht për cështjen e presidentit dhe përfundimin e reformave, vecanërisht asaj zgjedhore. Zoti Berisha ka deklaruar se procesi që po zhvillohet “është në përputhje të plotë me gërmën dhe frymën e Kushtetutës, i bazuar në negociata dhe konsultime” dhe ka shprehur besimin se “procesi që po zhvillohet në Parlament dhe kandidatura e ofruar nga mazhoranca, përmbush më së miri kushtet dhe kriteret që ky proces të përmbyllet me zgjedhjen e një Presidenti të Republikës që siguron konsensus dhe mbështetje të gjerë të forcave politike dhe opinionit publik”.

Pak më vonë, në përfundim të takimit me zotin Sanino edhe kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta konfirmoi të njejtin pozicion: “Nuk është një figurë politike që mund të krijonte ndarje. Së dyti është një figurë që në të kaluarën, për pozitën në të cilën ai ndodhet, është votuar nga të dyja krahët në Parlament. Opozitës i është krijuar mundësia, hapësira për të bërë dhe ajo propozimet e saj, në mënyrë që edhe mazhoranca të ketë mundësinë të bëjë gjykime të tjera. Natyrisht që mazhoranca kur ka përzgjedhur këtë kandidaturë e ka përzgjedhur midis shumë kandidaturave të tjera dhe ka qenë e bindur për të gjitha këto cilësi të cilat ofrojnë një konsensus”.

Zoti Sannino ka patur një takim edhe me kryetarin socialist Edi Rama, por rreth tij nuk është dhënë asnjë njoftim nga partia socialiste. Ndërkohë drejtori për Zgjerimin në Komisionin europian është rikthyer pasdite për një takim të dytë me kryeministrin Sali Berisha, i mbajtur larg vëmendjes së shtypit.

Nëse nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozicioni të orëve të fundit, sipas të gjitha gjasave edhe votimi i nesërm do të mbetet një formalitet. Pas kësaj loja mbetet vetëm në dorën e shumicës së cilës për dy raundet e fundit do t’i mjaftonin votat e saj, nëse mbi tryezë mbetet vetëm emri i zotit Zaganjori.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG