Lidhje

Ish-Presidenti Bush nderon veteranët me pikturat e tij


Që kur u largua nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2009, ish-Presidenti George W. Bush ka refuzuar t’i shfrytëzojë mundësitë për të kritikuar pasardhësit e tij dhe ka shmangur ndërhyrjen në politikat e brendshme dhe të jashtme. Por, siç njofton Kane Farabaugh e Zërit të Amerikës, ai është një mbështetës i apasionuar i ushtarakëve veteranë. Ai e ka shndërruar telajon e pikturës në një mjet për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mbledhur fonde për të ndihmuar tranzicionin e ushtarakëve drejt jetës civile dhe për t’ua lehtësuar atyre lëndimet e luftës.

Kur Johnnie Yellock u fut në Forcat Ajrore amerikane, ai e dinte se detyra e tij do ta vendoste shpesh në rrezik.

“Ne dolëm vullnetarë në kohë lufte. E dinim saktësisht se me çfarë do të përballeshim. Isha i përgatitur të vdisja për vendin tim”, thotë Johnnie.

Por, lufta ndryshon edhe planet më të mirëpërgatitura, siç bëri dhe me të.

Gjatë një misioni në Afganistanin lindor në vitin 2011, automjeti i tij hasi në një paisje shpërthyese të improvizuar.

“Nga i pari në fushëbetejë, përfundova duke më marrë në barrelë, krejt të pashpresë”, thotë ai.

Sulmi i dëmtoi të dyja këmbët dhe i dha fund karrierës së tij ushtarake.

“U dërrmua e gjithë familja së bashku me Johnnie-n, pasi ishte kaq traumatike për të gjithë”, thotë e jëma e tij, Reagan Yellock.

“Tranzicioni nga ushtarak aktiv në veteran në pension, është një rrugëtim shumë përunjës”, rrëfen Johnnie.

Në këtë rrugëtim, atij iu desh të bënte 30 operacione për të shpëtuar këmbët dhe tani... gjendet në një galeri arti në Muzeun Presidencial “George W. Bush”, në Dallas të Teksasit. Aty Johnnie Yellock nuk është thjesht vizitor ekspozite, por është pjesë e saj.

“Është një email shumë unik, kur lexon se ish-komandanti yt i përgjithshëm ka përkushtuar shumë prej kohës së tij për të pikturuar disa prej nesh – ‘luftëtarëve të plagosur’,” thotë ai.

Gjatë një interviste radiofonike për Zërin e Amerikës, ish-Presidenti Bush foli rreth zotit Yellock dhe 97 veteranëve të tjerë të plagosur – “luftëtarët” që frymëzuan përpjekjen e tij një-vjeçare për të pikturuar portretet e tyre, tashmë pjesë e ekspozitës, dhe e një libri të titulluar “Portrete të Kurajos: Mirënjohja e një Komandanti të Përgjithshëm për Luftëtarët e Amerikës”.

Presidenti Bush përdor penelin e tij për të nderuar ata, për të cilët kishte përgjegjësinë e dërgimit në luftë si komandant i përgjithshëm i ushtrisë amerikane.

“Rrallë rastis ndonjë veteran që të thotë se ‘ti na e shkaktove këtë gjë’. Ata janë të gjithë vullnetarë dhe unë e pata bërë të qartë se do të shkonim në luftë. Dhe ata e dinin saktësisht se çfarë rrezikohej. Ata kërkojnë të sigurohen që komandanti i tyre i përgjithshëm e kupton se ata janë të ndërgjegjshëm për sakrificat që kanë bërë”, i tha Zërit të Amerikës, Presidenti Bush.

“Nuk jemi penduar për çfarë bëmë dhe do ta bënim sërish nëse na jepet mundësia”, thotë Johnnie.

“Kur pikturoj mendohem se çfarë karakteri dua të pasqyrohet në këto portrete, që të reflektohet se në vend të ankesave të vetëmëshirës, të thuash se do ta bëja sërish”, thotë Presidenti Bush.

Të ardhurat nga shitjet e librit “Portrete të Kurajos” do të financojnë programe të Iniciativës për Shërbimin Ushtarak të Institutit “George W. Bush”, që ndihmon ushtarakët në tranzicionin drejt jetës civile në shërimin e plagëve të dukshme dhe të padukshme të luftës.

Zoti Yellock i mbart këto plagë. Mes disa dekoratave ushtarake, atij i është dhënë edhe “Ylli i Bronztë” dhe “Zemra e Purpurt”. Ai ndjehet i nderuar të jetë pjesë e ekspozitës, por nuk pranon ta quajnë hero.

“Ata që nuk kthehen në shtëpi... Ata janë heronjtë e kohërave tona”, thotë Johnnie.

Katër prej heronjve të tij i kanë emrat të gdhendur në byzylykun që ai rrallë e heq nga dora. I shërben si një kujtesë e fundit e sakrificës së një lufte që vazhdon edhe sot.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG