Lidhje

Takim Obama-Holande në Shtëpinë e Bardhë

  • Zëri Amerikës

Presidenti i ri i Francës Francois Hollande u takua sot me Presidentin Barak Obama në Shtëpinë e Bardhë në takimin e parë të tyre që kur zoti Hollande filloi nga detyra këtë javë.

Takimi u zhvillua vetëm disa orë para se të dy udhëheqësit të shkonin për takimin e Grupit të 8 vendeve më të industrializuara që zhvillohet sot dhe nesër në afërsi të Uashingtonit.

Në komentet e tyre për gazetarët, Presidenti Obama tha se takimi u përqëndrua në gjendjen financiare të Eurozonës. Zoti Hollande, që e bëri betimin si president në fillim të javës, ka bërë thirrje që t’i kushtohet më shumë vëmendje rritjes ekonomike si një prej rrugëve për të dalë nga kriza e borxheve e Evropës, në ndryshim nga politika e tanishme që është bazuar tek masat shtrënguese ekonomike.

Presidenti Obama tha se dy udhëheqësit ranë dakort se kriza e tanishme është e një rëndësie të jashtëzakonshme për ekonominë globale.

Zoti Hollande tha se ai dhe presidenti Obama kanë të njejtën pikëpamje se Greqia duhet të qëndrojë në Eurozonë dhe se të gjithë në komunitetin ndërkombëtar duhet të bëjnë gjithshka që ajo të qëndrojë.

Dy udhëheqësit diskutuan edhe për Afganistanin. Zoti Hollande i qëndron zotimit të tij gjatë fushatës elektorale për të tërhequr gjithë trupat franceze nga Afganistani deri në fund të vitit. Por presidenti frnacez u tha gazetarëve se Franca do të vazhdojë ta mbështesë Afganistanin në forma të tjera. Ai nuk dha hollësi, por shtoi se kjo do të bëhet me mirëkuptimin e aleatëve të Francës brenda forcës së Natos në Afganistan.

XS
SM
MD
LG