Lidhje

Presidenti Sarkozi viziton Uashingtonin, pritet të diskutojë për reformën monetare

  • Liza Brajënt

Presidenti Sarkozi viziton Uashingtonin, pritet të diskutojë për reformën monetare

Presidenti Sarkozi viziton Uashingtonin, pritet të diskutojë për reformën monetare

Presidenti Barak Obama do të takohet nesër në Uashington me homologun e tij francez, Nikola Sarkozi. Franca është kryesuesja e radhës e G8-s dhe G20-s dhe zoti Sarkozi pritet të diskutojë një çështje kyçe që synon ta realizojë gjatë mandatit: ristrukturimin e sistemit monetar të botës.

Presidenti francez Nikola Sarkozi nuk e ka mbajtur të fshehtë synimin e tij që të fillojë dialogun për reformimin e sistemit valutor të botës. Ai i paraqiti qëllimet në vija të përgjithshme para një viti në Forumin Ekonomik Botëror, ngjarje vjetore në Zvicër ku marrin pjesë vendet e pasura dhe të fuqishme.

Ideja e përgjithshme është që të zgjerohet sistemi monetar në mënyrë që dollari amerikan të mos jetë më valuta kryesore e rezervave. Kjo do të pasqyronte, siç argumentohet, realitetin e ri të një bote shumëpolëshe dhe ngritjen e fuqive të reja si Kina. Zoti Sarkozi pritet të përfshijë idenë në një fjalim më vonë këtë muaj që do të paraqesë në hollësi qëllimet e udhëheqjes franceze të klubeve G8 dhe G20.

Analistja e ekonomisë, Paola Subaki, e qendrës hulumtuese “Chatham House” me seli në Londër, mirëpret fillimin e dialogut të nxitur nga zoti Sarkozi.

“Është e nevojshme të rimendohet struktura dhe organizimi ndërkombëtar i sistemit monetar. Është e domosdoshme që nëse jemi duke ecur drejt një bote shumëpoloshe në kuptimin ekonomik, domethënë se ka më shumë ekonomi që e mbizotërojnë sistemin, atëherë na duhet të kemi një ose disa valuta të tjera”.

Eventualisht, zonja Subaki beson se në botë do të përdoren disa valuta rajonale si, për shembull, dollari për kontinentin amerikan, Euro për Evropën dhe juani kinez për Azinë. Por ajo beson se për këtë ndryshim do të duhen disa vite.

Hera e fundit që u takuan udhëheqësit amerikanë dhe francezë ishte në takimin e lartë të NATO-s në Lisbonë, në muajin nëntor. Atje, Presidenti Obama foli për marrëdhëniet e ngushta mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Por një raport pasues i kryediplomates së Bashkimi Evropian, Kethrin Eshtën, paralajmëroi se Evropa nuk ishte në qendrën e vëmendjes së Uashingtonit dhe se Shtetet e Bashkuara po kërkonin partnerë të tjerë.

Eksperti i historisë amerikane, Pjer Zhërve, profesor në Universitetin e Parisit 8, nuk befasohet.

“Evropa mund të luante akoma një rol mjaft të rëndësishëm për strategjinë dhe mendimin amerikan, nëse Evropa do të ishte në gjendje të krijonte politikë të jashtme koherente dhe me ndikim”.

Por zoti Zhërve thotë se kjo nuk ka ndodhur ende dhe dyshon se vizita e zotit Sarkozi në Uashington do të sjellë ndonjë ndryshim.

XS
SM
MD
LG