Lidhje

Presidenti Franklin Ruzvelt dhe “Marrëveshja e Dytë e Re”


Presidenti Franklin Ruzvelt dhe “Marrëveshja e Dytë e Re”
Presidenti Franklin Ruzvelt dhe “Marrëveshja e Dytë e Re”

Tre muajt e parë të Franklin Ruzveltit si president kanë qënë një nga periudhat më interesante në politikën amerikane. Ruzvelti hyri në Shtëpinë e Bardhë në mars të vitit 1933. Vendi ishte në krizë. Bankat në mbarë vendin ishin mbyllur. Kriza e Madhe Ekonomike ishte në kulmin e saj. Ruzvelti dhe Kongresi vepruan me shpejtësi për të ndihmuar popullin me ushqim dhe para. Ata ndërmorrën një sërë programesh të mëdha ekonomike. Në vazhdim do t’ju njohim me ligjet dhe politikat e Franklin Ruzveltit, përfshirë ato që njihen si “Marrëveshja e Dytë e Re”.

Kushtet u përmirësuan brenda një viti pasi Ruzvelti erdhi në postin e presidentit. Për këtë nuk ka asnjë dyshim. Bankat u hapën dhe më shumë njerëz kishin punë, fermerët po ecnin më mirë dhe të varfërit nuk ishin aq pranë shkatërrimit si më parë. Megjithatë, kushtet ishin të vështira. 10 milionë punëtorë nuk kishin punë. Të rinjtë që mbaronin shkollat ishin me fat kur gjenin çfardo lloj pune. Shumica e bizneseve nxirrnin ndonjë fitim fare të vogël.

Pasi kriza më e rëndë kaloi, disa grupe amerikanësh filluan ta kritikonin Ruzveltin dhe programet e tij. Konservatorët ishin të parët që u ndanë nga presidenti. Ata e akuzuan Ruzveltin se ndiqte politika ekonomike socialiste.

Por më serioze ishin kritikat nga reformistët brenda partisë së tij. Disa udhëheqës popullorë me ide të forta filluan të tërhiqnin mbështetjen e një numri të madh amerikanësh. Ruzvelti po shikonte se uniteti i tij kombëtar po shpërbëhej. Konservatorët po e akuzonin se i ishte kthyer socializmit, ndërsa kundërshtarët e tij të majtë thoshin se ai po bënte shumë pak për t’i dhënë fund krizës. Ai konkludoi se duhet të ndryshonte drejtim.

Ruzvelti e kishte të qartë se kishte pak shanse të rifitonte mbështetjen e konservatorëve amerikane, pasi politikat e tij ishin tepër progresive, prandaj aty nga mesi i mandatit të tij të parë presidencial, ai filloi të mbështeste reforma të reja në përpjekje për të fituar më shumë mbështetje nga e majta.

Gjykata e Lartë i bëri më të lehta përpjekjet e presidentit. Në fillim të vitit 1935, gjykata vendosi se disa nga programet e mëparëshme të Ruzveltit ishin antikushtetuese dhe dha urdhër që ato të merrnin fund. Mes tyre ishin programet kryesore për fermerët dhe planifikimin industrial.

Vendimet e Gjykatës e detyruan Ruzveltin të krijonte programe të reja dhe të eksperimentonte po ashtu ide të reja. Një nga veprimet e tij të reja fillestare ishte mbështetja për planin e qeverisë për të vënë nën kontroll kompanitë e furnizimit me uje dhe energji elektrike. Një tjetër ishte punësimi i njerëzve. Një ligj i tretë i ri i detyroi kompanitë të bënin biznes me qeverinë federale për t’i paguar punëtorëve një pagë minimale. Qeveria filloi gjithashtu të zbatonte një ligj të ri për të kontrolluar veprimet e tregtarëve të bursës dhe të kompanive investitore.

Në të njejtën kohë, Ruzvelti filloi të godiste kompanitë e mëdha dhe të fliste për biznesin e vogël në demokraci. Ai paralajmëroi vendin se kompanitë e mëdha kishin shumë pushtet dhe bëri thirrje për masa të reja për të shtuar konkurencën e biznesit dhe kontrollin ndaj kompanive të mëdha.

Ruzvelti mbështeti dhe Kongresi miratoi dy ligje gjatë kësaj periudhe që ndryshuan jetën e punëtorëve amerikanë për vitet që do të pasonin. Ligji i parë u dha sindikatave më shumë pushtet dhe i dyti krijoi sistemin federal të pagesave për punëtorët në pension. Administrata e Presidentit Ruzvelt i kishte mbështetur sindikatat edhe me një ligj të mëparshëm, por ai ligj ishte shfuqizuar nga Gjykata e Lartë. Kështu, në vitin 1935, Kongresi miratoi një ligj të ri, që njihet si Akti i Marrëdhënieve Kombëtare të Punës.

Akti krijoi një grup për marrëdhëniet kombëtare të punës për të ndihmuar në negociatat mes punëtorëve dhe pronarëve të bizneseve. Ai u dha gjithë punëtorëve të drejtën për t’u anëtarësuar ose për të themeluar sindikata, si dhe i detyronte pronarët e bizneseve të negocionin me sindikatat, nëse ato përfaqësonin shumicën e punëtorëve. Ligji i ri u dha për herë të parë sindikatave pushtet real dhe të drejta për të negociuar.

Ligji tjetër shumë i rëndësishëm që u miratua gjatë asaj periudhe ishte krijimi i sistemit kombëtar të sigurimeve sociale. Ligji detyronte çdo punonjës dhe pronar biznezi t’i paguanin një shumë të vogël parash çdo muaj qeverisë federale dhe nga ana e saj qeveria paguante çdo muaj punëtorët që kishin dalë në pension ose kishin humbur punën.

Ligji i ri nuk u shërbente të gjithë njerëzve. Fermerët, punonjësit e qeverisë dhe një numër grupesh të tjera nuk përfshiheshin në sistem. Plani nuk parshikonte asnjë ndihmë për ata që ishin të papunë. Njerëzit duhet të kishin qënë të punësuar pasi hyri në fuqi sistemi dhe paguheshin në rast se e humbisnin punën. Megjithatë, ligji për sistemin kombëtar të sigurimit social krijoi një sistem që do të zgjerohej dhe do të zinte një vend shumë të rëndësishëm në jetën amerikane.

Ruzvelti mbështeti edhe ligje të tjera gjatë asaj periudhe që ndryshuan ekonominë amerikane. Një akt për sistemin bankar i dha bankës qendrore kombëtare, të njohur ndryshe si Bordi i Rezervës Federale, kompetenca të reja për të kontrolluar shumën totale të parasë në qarkullim. Një ligj tjetër ngriti taksat për të pasurit. Ndërsa një ligj i tretë kufizoi fuqinë e kompanive të mëdha për të fituar kontroll ndaj kompanive lokale të furnizimit me ujë dhe energji elektrike.

Ligjet e reja sfiduan hapur pushtetin e kompanive të mëdha, të bankave të mëdha dhe atyre që kishin para të madhe. Ruzvelti kundërshtoi idenë e bashkëpunimit të qeverisë me kompanitë e mëdha, pasi mendonte se shumë nga këto kompani do të kontrollonin ekonominë dhe do të dëmtonin punëtorët. Ai i bëri thirrje Kongresit të ndihmonte kompanitë e vogla dhe shtresën e mesme të amerikanëve.

Ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm gjatë kësaj periudhe ishte se Ruzvelti pranoi idenë e një buxheti federal të pabalancuar. Ai filloi të binte dakord me idenë e Marriner Ekles, kryetarit të Bankës së Rezervës Federale.

Zoti Ekles besonte se qeveria e kishte për detyrë të shpenzonte para më shumë në periudha krizash ekonomike; kështu, sipas tij, do të krijoheshin vende pune për më shumë njerëz. Ata do të blinin më shumë artikuj, gjë që do të nxiste rritjen ekonomike.

Drejtori i Bankës Qendrore, besonte se ishte një politikë e mirë e qeverisë që të shpenzonte më shumë para se sa fitonte nga taksat gjatë periudhave të tilla. Ai argumentonte se rritja ekonomike sillte ngritjen e pagave duke shtuar për pasojë edhe të ardhurat nga taksat.

Administrata e Presidentit Ruzvelt kishte shpenzuar më shumë para nga sa kishte fituar që nga fillimi i mandatit. Por presidenti dhe këshilltarët e tij e bënë këtë vetëm për të kapërcyer krizën ekonomike, pasi besonin se kjo ishte e domosdoshme në ato kushte. Por Ekles dhe të tjerë i thanë Ruzveltit se nuk ishte ide e keqe për vendin që qeveria që shpenzonte më shumë nga sa fitonte.

Ekonomisti britanik Xhon Mejnard Kines botoi një libër me shumë ndikim që e mbështeste këtë politikë dhe Ruzvelti e këshilltarët e tij filluan ta pranonin këtë ide të re.

Politikat ekonomike të Ruzveltit u njohën si “Marrëveshja e Re”, por ndryshimet e shumta që ai bëri gjatë kësaj periudhe u bënë të njohura si “Marrëveshja e Dytë e Re”.

Ato përfshinë disa nga ligjet më të rëndësishme në historinë e vendit, si Akti për Marrëdhëniet Kombëtare të Punës dhe Ligji i Sigurimit Social. Predispozita e Ruzveltit për të pranuar buxhetin e pabalancuar do të ishte hapi i parë drejt deficitit të buxhetit federal që do të ishte në rritje gjatë viteve që do të vinin.

Deficiti buxhetor u rrit ndjeshëm nën Presidentin Lindon Xhonson gjatë luftës së Vietnamit dhe u bë shkak për inflacionin ekonomik në Shtetet e Bashkuara dhe në botë në vitit 70-të. Prandaj amerikanët do të zgjidhnin Ronald Reganin president në vitin 1980, pjesërisht për të vënë nën kontroll shpenzimet e qeverisë federale.

Por në vitin 1935, shumica e amerikanëve ishin dakord me Franklin Ruzveltin dhe dificiti buxhetor ishte i nevojshëm për të luftuar krizën ekonomike.

XS
SM
MD
LG