Lidhje

Presidenti i ardhshëm francez ndeshet me sfida të mëdha


Presidenti i zgjedhur Francois Hollande fillon detyrën javën e ardhshme, duke u bërë udhëheqësi i parë socialist i Francës në gati dy dekada. Fitorja e zotit Hollande ndaj presidentit Nikolas Sarkozi tregon zemërimin e publikut me krizën ekonomike të Europës që ka rrëzuar një numër qeverish në mbarë kontinentin. Tregjet financiare dhe disa udhëheqës evropianë nuk janë të sigurt se çfarë do të sjellë plani ekonomik i zotit Hollande.

Pas festimeve të fitores në zgjedhjet presidenciale, çfarë e pret Francën?

Presidenti i sapozgjedhur i vendit, Francois Hollande ka premtuar rritje më të madhe ekonomike dhe pakësim të masave shtërnguese. Ai dëshiron të ngrejë taksat për të pasurit dhe të investojë më shumë në arsim.

57 vjeçari socialist ka qenë në politikë për dekada të tëra. Por ai është një udhëheqës i paprovuar në kohë të vështira. Papunësia është e lartë dhe ekonomia e Francës ka shënuar rritje të vogël.

Bruno Cautres është analist politik:

“Askush nuk i di saktësisht aftësitë e zotit Francois Hollande për t’u përballur me probleme të mëdha ekonomike, për t’iu përgjigjur detyrave që burojnë nga posti i presidentit francez”.

Por zoti Cautres thotë se zoti Hollande i ka befasuar shumë njerëz gjatë fushatës presidenciale duke përfaqësuar veten si një kandidat serioz presidencial dhe i aftë për trajtimin e çështjeve të vështira:

“Ai ka arritur të qetësojë ankthin e popullsisë franceze në lidhje me krizën ekonomike, në këtë botë e cila po ndryshon ...”

Studentja 24 vjeçare, Louiza Taiati është një përkrahëse e zotit Hollande.

“Jam shumë e gëzuar që fitoi zoti Hollande. Ne kemi pritur që nga vitet 1980 për ardhjen e të majtëve në pushtet. Zoti Sarkozy i ka vënë në vështirësi ekonomike shumë njerëz. Unë njoh shumë njerëz të cilat po ndeshen me vështirësi të mëdha ekonomike”.

Por biznesmeni 33-vjeçar Juan Pablo Vargas është i shqetësuar se politikat ekonomike të zotit Hollande do ta izolojnë Francën.

“Unë jam shumë i preokupuar për Francën dhe Evropën sepse nuk jemi të sigurt se Gjermania do të vazhdojë të financojë çdo gjë, në qoftë se zoti Hollande ndryshon politikat finaciare të Francës”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti Sarkozi kanë përkrahur masat shtrënguese për trajtimin e krizës financiare të Evropës. Por zoti Hollande dëshiron të modifikojë paktin e BE-së për disiplinë fiskale duke përfshirë në të stimuj për të prodhuar rritje ekonomike.

Ekonomisti Tomasz Michalski thotë se opsionet e zoti Hollande janë të kufizuara.

“Zoti Hollande nuk mund të nxjerrë vendin nga recesioni duke shpenzuar më shumë. Ai nuk mund të shpenzojë më shumë para, ai nuk mund të shtyp para...”

Analistët thonë se zoti Hollande, ashtu si zoti Sarkozy, shpreson se rritja ekonomike do t’i bëjë të suksesshme programet e tij. Por për momentin, nuk ka shenja të një rritjeje ekonomike në Evropë.

XS
SM
MD
LG