Lidhje

Presidenti i BE: Në shtëpinë e Europës ka vend për shtetet e Ballkanit Perëndimor

  • Armand Mero
  • Tiranë

Presidenti i BE: Në shtëpinë e Europës ka vend për shtetet e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i BE: Në shtëpinë e Europës ka vend për shtetet e Ballkanit Perëndimor

Në një video mesazh presidenti i Bashkimit Europian deklaron se Brukseli kërkon të shohë reforma të plota në fushat kyce si demokracia, qeverisja e mire, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor e se nevojitet një luftë e vendosur dhe efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Presidenti i Bashkimit Europian Herman Van Rompuy nis sot një turne ballkanik dy ditor me vizitën e parë në Malin e Zi, për të vazhduar më pas në Maqedoni e nesër në Bosnje dhe Shqipëri. Në një mesazh të tij në vigjilje të këtij turneu president Van Rompuy vë theksin në mbështetjen që Bashkimi Europian i jep këtyre vendeve në procesin e integrimit dhe përpjekjet që këto shtete duhet të bëjnë në këtë rrugëtim drejt Bashkimit europian:

"Projekti europian është udhëhequr gjithmonë nga dëshira për paqe dhe bashkim. Unë besoj se ka vend për Ballkanin perëndimor në shtëpinë europiane".

Në Mesazhin e tij presidenti Van Rompuy shprehet se Europa është e angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor.

“Shumë përpjekje janë bërë nga vetë këto vende, qeveritë dhe popujt e tyre, ndërsa Bashkimi europian nga ana e tij u jep një mbështetje aktive”, thotë më tej ai duke saktësuar se vetëm për vitin 2010-2012 ndihma teknike dhe financiare për rajonin shkon në 2 miliard euro.

Për presidentin e Bashkimit Europian edhe procesi i liberalizimit të vizave është vlerësim i përpjekjeve për realizimin e reformave nga vendet e ballkanit perëndimor, ndërsa nxit të ecet përpara më tej:

"Ka ende shumë për të bërë. Nuk ka vend për vetkënaqësi. Përgatitja e së ardhmes europiane është një detyrë impenjative"

Presidenti Van Rompuy nxit vendet e Ballkanit Perëndimor të ecin përpara me reforma të plota e të vendosura në fushat kyce si demokracia, mirëqeverisja, të drejtat e njeriut dhe shteti ligjor:

"Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë një kërcënim për stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. Lufta ndaj tyre duhet të jetë e vendosur dhe efektive".

Presidenti Van Rompuy vë më pas theksin në një bashkëpunim më të fortë rajonal që të nxisë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë si një tjetër kusht i rëndësishëm për integrimin:

"Bashkimi europian nuk importon konflikte rajonale. Dhe bashkëpunimi i plotë me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në ish Jugosllavi mbetet i rëndësishëm për rajonin që të mbyllë përfundimisht një kapitull të dhimbshëm të historisë".

Në Tiranë presidenti i BAshkimit Europian van Ropuy pritet të qëndrojë vetëm disa orë për t’u takuar fillimisht me presidentin Bamir Topi e më pas me kryeministrin Sali Berisha.

Shqipëria ndodhet në një moment të vecantë në marrëdhëniet me Bashkimin Europian. Ajo pret që në muajin nëntor të merret vendimi përfundimtar për liberalizimn e vizave si dhe që komisioni europian të shpreh vlerësimin e tij për kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

XS
SM
MD
LG