Lidhje

Presidenti i Jemenit nënshkruan marrëveshje për transferimin e pushtetit

  • Zëri Amerikës

Presidenti i Jemenit nënshkruan marrëveshje për transferimin e pushtetit

Presidenti i Jemenit nënshkruan marrëveshje për transferimin e pushtetit

Presidenti i Jemenit Ali Abdullah Saleh dhe udhëheqësit e opozitës nënshkruan dje një marrëveshje të shumëpritur për transferimin e pushtetit nënpresidentit të vendit Abed Rabbo Mansour Hadi dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme presidenciale.

Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në Arabinë Saudite, mbreti Abdullah tha se tani është hapur një faqe e re në historinë e Jemenit. Ai u bëri thirrje politikanëve jemenas të punojnë për vendosjen e paqes në vendin e të goditur nga luftimet.

Zoti Saleh tha se qeveria e tij e mirëpret partneritetin me ata që i quajti “vëllezër të opozitës” për rindërtimin e Jemenit. Ai shprehu keqardhjen për gjakderdhjen gjatë 10 muajve të kryengritjes popullore për përmbysjen e tij, por tha se trazirat ishin rezultat i nxitjes nga forcat e huaja që kishin axhendën e tyre në botën arabe.

Marrëveshja ishte një fitore për Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit që hartoi dokumentin dhe punoi me durim që palët ta pranonin atë. Sekretari i Përgjithshëmi Këshillit Abdel Latif Zayani e quajti nënshkrimin e marrëveshjes një ngjarje historike.

Megjithatë, marrëveshja nuk i la të kënaqur demonstruesit anti-qeveritare në Jemen. Pas nënshkrimit të saj, protestuesit u mblodhën në kryeqytetin e vendit, Sana, për të shprehur pakënaqësinë me dispozitën që i jep zotit Saleh imunitet nga ndëshkimi. Gjithashtu, disa bënë thirrje për largimin e tij të menjëhershëm.

Departamenti amerikan i Shtetit e mirëpriti marrëveshjen. Në deklaratën që bëri dje, sekretarja Hillari Klinton tha se marrëveshja është një hap i rëndësishëm përpara për popullin e Jemenit në përpjekjen e tij për një vend të bashkuar, demokratik, të sigurt dhe të begatë.

Zonja Klinton u bëri thirrje të gjitha palëve në Jemen të përbahen nga dhuna dhe të ecin shpejt drejt zbatimit të dispozitave të marrëveshjes në mirëbesim dhe me transparencë, përfshirë mbajtjen e zgjedhejve të besueshme presidenciale brenda 90 ditësh.

XS
SM
MD
LG