Lidhje

Presidenti i Kinës Hu Gjintao i jep fund vizitës në Shtetet e Bashkuara


Presidenti i Kinës Hu Gjintao i jep fund vizitës në Shtetet e Bashkuara
Presidenti i Kinës Hu Gjintao i jep fund vizitës në Shtetet e Bashkuara

Presidenti i Kinës Hu Gjintao, i dha fund vizitës së tij katër ditore në Shtetet e Bashkuara dje me një vizitë qytetin e Çikagos, ku u ndal në një shkollë që u ofron nxënësve një program intensiv për mësimin e gjuhës dhe kulturës kineze. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Suzanë Presto na sjell hollësi nga vizita shtetërore e Presidentit të Kinës në Amerikë.

Nxënësit e një shkolle fillore përshëndetën Presidentin kinez Hu Gjintao në shkollën e mesme, para universitare Uollter Pejton me një vallëzim tradicional kinez.

Ky ishte aktiviteti i fundit para se zoti Hu të largohej me avion për në Kinë dje pasdite dhe ndoshta ky kërcim ishte në një farë mënyre simboli i lamtumirës pas vizitës së tij katër ditore në Shtetet e Bashkuara.

Xhejms Men, studjues i çështjeve kineze në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Xhons Hopkins këtu në Uashington, thotë:

"Takimi i nivelit të lartë ishte i rëndësishëm për atë ceremoni. Nuk jam i sigurt se çfarë rezultatesh solli ai”.

Vizita e zotit Hu ishte mjaft ceremoniale, me një takim me Presidentin Barak Obama, me një banket shtetëror në Shtëpinë e Bardhë, me takime me udhëheqës të Kongresit dhe fjalime të presidentit kinez para ekzekutivëve të biznesit në Çikago dhe Uashington. Flamuri kinez u ngrit krahas atij amerikan për gjatë rrugës që të çon në ndërtesën e Kongresit dhe zyrtarët njoftuan se arinjtë Panda do të qendrojnë me qera në Kopshtin Zoologjik të Uashingtonit edhe për pesë vjet.

Por gjatë kësaj vizite u nënshkruan marrëveshje të rëndësishme me vlerë totale 45 miliardë dollarë për më shumë eksporte. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut vlerësuan administratën obama që e trajtoi çështjen drejtpërdrejt me udhëheqësin kinez.

Gjatë një konference shtypi në Uashington të mërkurën me Presidentin Obama, zoti Hu tha se Kina ka bërë “përparim shumë të madh” në fushën e të drejtave të njeriut, por pranoi “se mbetet ende shumë për t’u bërë”.

Zoti Men, autor i librit "The China Fantasy: How Our Leaders Explain Away Chinese Repression", Fantazia kineze: Si e shpjegojnë udhëheqësit tanë shtypjen në Kinë, thotë se këto komente kanë ngjallur shpresa jo realiste.

"Nuk më duket se politika e Kinës ka ndryshuar shumë në këtë drejtim apo që gjuha të ketë ndryshuar ndjeshëm”.

Zoti Men nuk mendon se trajtimi i zotit Hu gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara do t’i forcojë pozitat e tij në Kinë, por ai paralajmëron kundër euforisë se reputaconi i tij varet nga pritja e tij në Shtetet e Bashkuara.

"Shtetet e Bashkuara janë shumë të rëndësishme për Kinën, më të rëndësishme se çdo vend tjetër, megjithatë nuk përcaktojnë çështjet politike për të cilat vendoset në fakt në Kinë dhe në partinë komuniste të Kinës”.

Në përgjithësi, të dy palët, amerikane dhe kineze, theksuan rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa vunë në dukje dëshirën për më shumë besim dhe bashkëpinim mes dy vendeve. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Kinës u tha gazetarëve në Pekin dje se vizita e Presidentit Hu në Uashington ishte e “frutshme” dhe padyshim do të forcojë lidhjet mes të dy vendeve.

Ndërkohë që ndodhej në Çikago dhe kur kamerat fokusoheshin tek ai dhe nxënësit me qendrim gatitu, zoti Hu tha se shpresonte që të dy vendet të vazhdojnë të ekzistojnë në harmoni.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë dy sisteme të ndryshme, por popujt e të dy vendeve kanë të njejtën dëshirë për begati dhe paqe.

XS
SM
MD
LG