Lidhje

Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli shprehet i gatshëm të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

  • Leonat Shehu

Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli shprehet i gatshëm të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli shprehet i gatshëm të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, thotë se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila e shpalli jokushtetues zgjedhjen e presidentit të Kosovës nga parlamenti.

Presidenti Pacolli i cili i bëri këto komente në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, tha se do të veproj ashtu siç është e shkruar në vendimin e gjykatës Kushtetuese, pasi që siç tha ai kjo gjykatë e rregullon mbarëvajtjen dhe funksionimin e institucioneve të vendit dhe duhet respektuar çdo vendim të saj. Ai po ashtu u shpreh i gatshëm të rikandidohet për postin e presidentit të vendit, ndërsa nënvizoi se pa të koalicioni qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Aleancës Kosova e Re do ta ketë të vështirë mbijetesën.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili u bë publik dy ditë më parë, ishte në përgjigje të kërkesës së 34 deputetëve nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që i ishin drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të dhënë opinionin e saj rreth procedurës së zgjedhjes së zotit Behgjet Pacolli në postin e presidentit të Kosovës.

Ende nuk janë dhënë hollësi rreth këtij vendimi i cili zyrtarisht pritet që sot t’u dërgohet palëve të interesuara. Në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese nuk saktësohet se çfarë do të jetë rrjedhoja e këtij vendimi dhe nëse do të ketë një rivotim të presidentit aktual apo duhet të zgjidhet një president i ri. Po ashtu nuk dihet nëse presidenti Pacolli duhet të jap dorëheqjen apo duhet të shkarkohet.

Opozita ndërkaq e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Rreth të cilit kanë reaguar edhe shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Ashton, dhe komisionari për zgjerim, Stefan Fyle. Në një komunikatë të përbashkët ata thonë se respektojnë vendimin e gjykatës më të lartë të Kosovës, ndërsa presin nga të gjitha palët të punojnë për një zgjidhje konstruktive dhe sipas procedurave të brendshme.

Zoti Pacolli u zgjodh më 22 shkurt, në raundin e tretë të votimit në parlament, me 62 vota pro, 4 kundër dhe një të pavlefshme. Në dy raundet e para ai mori respektivisht 54 dhe 58 vota. Zgjedhja e tij pasoi një pushim ndërmjet raundit të dytë dhe atij të tretë të votimeve, i cili u cilësua nga kryetari i Parlamentit Jakup Krasniqi si anti kushtetues dhe që mund të jetë shfrytëzuar për t’u bërë trysni deputetëve. Procedura e votimit është arsyeja e kërkesës për opinionin e Gjykatës Kushtetuese.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështje që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Herën e parë, një vendim i tillë çoi në zgjedhje të parakohshme. Në shtator të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi që ish presidenti Fatmir Sejdiu, kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste, atë të presidentit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas këtij vendimi, presidenti dha dorëheqje, duke krijuar një situatë të re politike, që u pasua nga zgjedhjet e parakohshme.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG