Lidhje

Presidenti Kalvin Kullixh nën një dritë të re


Presidenti Kalvin Kullixh nën një dritë të re
Presidenti Kalvin Kullixh nën një dritë të re

Kelvin Kullixh ishte presidenti i 30 i Amerikës. Ai e bëri betimin në gusht të vitit 1923, pas vdekjes së Presidentit Uorren Harding, dhe u zgjodh zyrtarisht në këtë post vitin pasardhës.

Pas largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë në vitin 1929, historianët përgjithësisht nuk janë marrë fare me të. Por një grup ekspertësh, figurash politike dhe gazetarësh kohët e fundit u pyetën nëse ishte apo i rëndësishëm Presidenti Kullixh për Amerikën?

Përgjigjet e tyre janë përmbledhur në një libër të ri ku shpjegohet se si mund të zbatohen pikëpamjet e Presidentit Kullixh në politikën dhe jetën moderne.

Ish presidenti Kalvin Kullixh njihet si një politikan i rezervuar dhe i mbyllur në vetvete që nuk e ndjente veten mirë në aktivitetet publike. Por ky njeri fjalëpakë bëri shumë gjëra si president – ai uli taksat dhe shpenzimet e buxhetit, nënshkroi ligjin që u jepte shtetësinë e plotë indianëve të Amerikës dhe kufizoi imigracionin.

Gjithashtu, ai e vuri veten në dispozicion të ligjvënësve dhe të gazetarëve, diçka e re në atë kohë, siç thotë edhe guvernatori i shtetit Vermont, Xhim Dagllas:

"Kullixh bënte mëngjese pune me anëtarë të Kongresit dhe jepte konferenca shtypi një herë në katër ditë."

Guvernatori Dagllas është një nga 21 politikanët, gazetarët dhe analistët që kontribuan për librin " Pse Kullixh ka rëndësi", një përmbledhje shkrimesh rreth presidentit të 30 të Amerikës.

Në shkrimin e tij, zoti Dagllas reflekton rreth shtetit të tij Vermont ku u lind dhe u rrit vetë. Ai thotë se gjen frymëzim te Presidenti Kullixh:

"Ai kishte dy gjëra, së pari përkushtimin ndaj integritetit fiskal, ndaj uljes së borxhit, balancimit të buxhetit, uljes së taksave, diçka që bëmë edhe ne në Vermont në sesionin tonë legjislativ të këtij viti. Së dyti, Kullixh kishte shumë vlera si qytetarinë, ndershmërinë, sinqeritetin dhe komunikimin në mënyrë transparente dhe të shpeshtë me njerëzit."

Mes atyre që kontribuan për librin " Pse Kullixh ka rëndësi " është edhe ish guvernatori i shtetit Masaçusets, Majkëll Dukakis, studiuesi i presidencës, Peter Schram dhe senatori Xhon Keri i shtetit Masaçusets.
Stërnipi i Presidentit Kullixh, Kristofer Kullixh Xheter, thotë se është i gëzuar që trashëgimia e stërgjyshit të tij studiohet përsëri.

"Më vjen mirë që studiuesit po e rishikojnë figurën e tij. Disa herë ai shihet ngushtë nga historianët sepse në kohën e tij nuk pato kriza apo luftra të mëdha. Por mendoj se po të analizojmë karakterin dhe vlerat e tij, mund të mësojmë shumë gjëra që mund të zbatohen në botën e sotme."

Ai thotë se Presidenti Kullixh ishte njeri vërtet në shërbim të publikut. Ai ka patur më shumë poste publike se çdo president tjetër dhe ishte nismëtar i shumë reformave, si votimi për gratë dhe shkurtimi i taksave. Ai shkruante bukur. Jo vetëm i shkruante vetë fjalimet që mbante por ka bërë edhe autobiografinë e tij. Personalisht, zoti Xheter thotë se ka mësuar nga stërgjyshi i tij të qenët racional në aspektin financiar:

"Kullixh thoshte se nuk ka dinjitet më të lartë se sa të jetosh brenda mundësive të tua. Këtë jam përpjekur ta arrij edhe unë vetë dhe shpresoj se edhe vendi ynë mund të frymëzohet nga kjo moto."

Kristofer Kullixh Xheter shpreson që libri i ri të shtojë një këndvështim të ri me vlerë në debatin e madh rreth së ardhmes së Amerikës.

XS
SM
MD
LG