Lidhje

Avioni me Presidentin e ri të Francës, François Hollande, goditet nga rrufeja


Avioni me Presidentin e ri të Francës, François Hollande, i cili sapo kishte bërë betimin dhe ishte nisur për në Gjermani për vizitën e tij të parë zyrtare, u kthye mbrapsh, pasi u godit nga rrufeja. Askush nuk pësoi dëmtime. Zyrtarët francezë thanë se presidenti u kthye mbrapsh në Paris, ku mori një avion tjetër, drejt Gjermanisë.

Zoti Hollande mori detyrën sot në mëngjes, gjatë një ceremonie modeste në Pallatin Elize në Paris. Presidenti i ri u prit në Pallatin Elize, disa orë para betimit të tij, nga presidenti në largim Nicolas Sarkozy, të cilin ai e mundi në balotazh javën e kaluar.

Zoti Hollande është socialisti i parë që bëhet president i Francës qysh kur Francois Mitterrand la detyrën në vitin 1995. Gjatë fjalimit të tij të inaugururimit, të transmetuar në televizion, presidenti i ri francez tha se ai është i gatshëm për të hapur "një rrugë të re" për kombin e tij dhe Evropën, me një theks të ri tek rritja, drejtësia dhe tek ajo që ai quajti një "demokraci sociale".

Zoti Hollande shkon sot sipas traditës në Gjermani, për takimin e tij të parë me kancelaren gjermane Angela Merkel, ku do të diskutojnë mbi krizën evropiane të borxheve. Ai pritet të kërkojë zhvillimin e negociatave të reja mbi marrëveshjen e kohëve të fundit të Eurozonës, që vendosi masa buxhetore shtrënguese ndaj vendeve anëtare. Presidenti i ri francez po bën thirrje për një përqëndrim më të madh tek rritja ekonomike, por udhëheqësja gjermane thotë se marrëveshja është i panegociueshme.

Para se të nisej për në Gjermani, zoti Hollandë emëroi Jean-Marc Ayrault në postin e kryeministrit. Zoti Ayrault, i cili është kryetar i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe pritet ta emërojë nesër kabinetin e tij qeveritar.

XS
SM
MD
LG